Pogba tregon se nuk i ”intereson” Mourinho pas videos së fundit të postuar
Paul Pogba ka postuar një video në Instagram për të treguar se nuk është në disponim të keq pas një konfrontimi me trajnerin e tij, Jose Mourinho në stërvitjen e djeshme.
Dje ka qarkulluar një video ku shihej se dyshja në fjalë është konfrontuar në seancën stërvitore duke u dëshmuar edhe njëherë ”kriza” në raportet e tyre në skuadër.
Pogba kishte postuar një video, ku shihet ai, Andres Pereira dhe Luke Shaw duke u tallur pas eliminimit të Man Unitedit nga Derby County në Carabao Cup.
Pamjet ishin inçizuar derisa Man Unitedi ishte duke fituar, por për shkak të problemeve me internetin në ”Old Trafford”, video ishte postuar më vonë, transmeton IndeksOnline.
Dhe sot, Pogba ka postuar sërish një video ku ai duket se nuk është ”prekur” aspak nga konfrontimi i djeshëm me Mourinhon.
Kësaj radhe, 25-vjeçari ka inçizuar veten duke kënduar këngën e Vegedream, ”Ramenez La Coupe A La Maison”.
Kënga ishte mjaft e përhapur kur Franca e fitoi Kupën e Botës në Rusi këtë verë. Ai e përshkroi atë me: ”Kurrë nuk do të bëhet e vjetër”./IndeksOnline/