19:37 / E Martë, 09 Tetor 2018

Policët do të marrin mesatarisht nga 300 euro për orët shtesë

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka ndarë 2 milionë e 600 mijë euro për të kompensuar punën jashtë orarit të pjesëtarëve të Policisë. Sipas një llogaritje, policët do të marrin rreth 300 euro për orët shtesë të punës. Kjo pasi dy euro llogaritet ora e punës shtesë të një zyrtari policor, transmeton Indeksonline.

Nëse 2 milionë e 600 mijë euro të ndara sot nga Qeveria e Kosovës, ndahen për rreth nëntë mijë policë, atëherë i bie se të njëjtit do të marrin mesatarisht nga 288 euro, mirëpo këtu, dikush nga zyrtarët policor ka më tepër e dikush më pak orë shtesë.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Shaban Tasholli për Indeksonline ka thënë se ka pasur vonesa në këtë proces, por që më në fund është marrë vendim për të kompensuar orët shtesë.

“Kjo pagesë ka qenë edhe në vitin e kaluar, ku marrëveshja ka qenë që të vazhdon edhe këtë vit. Kemi pasur vonesa pak, po më në fund është marrë vendim që orët shtesë e të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që kanë punuar jashtë orarit të punës të paguhen. Varësisht sa kanë punuar, sa orë kanë punuar aq llogaritën orët shtesë”, ka thënë Tasholli.

Ndërsa, sot Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se ‘llogaria mes shtetit dhe policisë’ tani është zero.

“Është e dhimbshme që policët e Kosovës lëre që s’kanë ligj për sigurinë, për pension, por s’kanë edhe të drejta tjera. Merreni me mend, atyre u është kërkuar punë shtesë, por nuk iu është paguar. Me sot është 0-0 llogaria, nuk i kemi borxh njëri-tjetrit”, theksoi ai pas mbledhjes./Indeksonline/