14:39 / E Premte, 13 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Policët presin Kushtetuesen: Ligjin e pagave trajtojeni me prioritet!

Sot në selinë e Sindikatës së Policisë së Kosovës në Prishtinë, është mbajtur takimi i jashtëzakonshëm i Këshillit drejtues i kësaj sindikate.

Temë e këtij takimi ishte situata e re e krijuar pas pezullimit të Ligjit të pagave nga Gjykata Kushtetuese e Republikës se Kosovës.

Ne ketë takim është diskutuar dhe është marrë parasysh situata në të cilën po kalon vendi dhe mbi bazën e kësaj, Këshilli drejtues i Sindikatës të Policisë së Kosovës ka marrë vendim që të pritet gjerë në marrjen e vendimit përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese, bazuar në atë se Policia e Kosovës si institucion i zbatimit te ligjit, vendimet e gjykatave të Kosovës nuk i interpreton apo diskuton, por që kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që çështjen e Ligjit të pagave ta trajtojë me prioritet.

Nga institucionet e vendit është kërkuar që të gjitha të drejtat dhe obligimet që burojnë nga Ligji i pagave të zbatohen në mënyrë retroaktive nga data e hyrjes në fuqi e këtij ligji.

Gjithashtu në këtë takim në mënyrë unanime është marrë vendimi, që të mbahen takimet me bartësit e institucioneve të vendit që të realizohen kërkesat e kamotshme të Sindikatës të Policisë së Kosovës e që janë sigurimi shëndetësor, sigurimi jetësor dhe aksidental, Ligji për pensionimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, pagesën e ndërrimit të natës në mënyrë të dinjiteteshme dhe pagesën e shujtës dhe të transportit për pjesëtarët e Policisë se Kosovës.

Në fund Këshilli drejtues i Sindikatës të Policisë së Kosovës përkrah kërkesat e ligjshme te sindikatave të Arsimit dhe të Shëndetësisë.