23:08 / E Shtunë, 27 Shkurt 2021 / OSH

Polici i vrarë gjatë protestave të dhunshme në Capitol, FBI pranë identifikimit të autorit të dyshuar

Autoritetet amerikane janë pranë identifikimit të personit që dyshohet për vrasjen e policit gjatë protestave të dhunshme në Capitol më 6 janar. Sipas New York Times thotë se hetuesit janë të fokusuar tek një individ që shihet në videot e sekuestruara duke sulmuar disa policë përfshirë dhe efektivin Brian Sicknick i cili ndërroi jetë më pas.

42-vjeçari Sicknick, ishte pjesë e policisë përballë turmës së dhunshme që hyri me forcë në Capitol në përpjekje për të penguar çertifikimin e fitores së demokratit Joe Biden në zgjedhjet e 4 nëntorit.

Këto akte çuan në ngritjen e akuzës për nxitje dhune kundër ish-Presidentit Trump në Dhomën e Përfaqësuesve, por Senati e liroi nga akuzat, pasi ishte larguar nga detyra.

Sipas New York Times, agjentët e FBI-së filluan të dyshojnë se vdekja e policit mund të kishte lidhje me kimikatin që përdoret në spërkatësen për të përzënë arinjtë. Shumë protestues kishin spërkatëse të tilla ose me spec djegës.

Sipas një prej zyrtarëve të rendit që citohet në artikullin e New York Times, në video personi i dyshuar për sulm kundër viktimës Sicknick dëgjohet duke thënë se do të përdorte spërkatësen me kimikat kundër policëve.

Mjeku ligjor ende nuk e ka nxjerrë raportin mbi shkakun e vdekjes së policit pasi priten rezultatet e analizave toksikologjike, tha përmes një deklarate policia e Kapitolit.