19:53 / E Mërkurë, 13 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Polici zviceran gjobitet 600 franga për tejkalim shpejtësie edhe pse po ndiqte hajnat

Një polic në Gjenevë ka humbur rastin, pasi është ankuar kundër një gjobe prej 600 frangash zvicerane (528 euro) që ai mori për tejkalim të shpejtësisë, ndërsa po ndiqte kriminelët e dyshuar.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Gjykata e Lartë Federale e Zvicrës mbështeti gjobën e dhënë zyrtarit për vozitje me shpejtësi 92 kilometra në orë në një zonë ku ishte e kufizuar deri në 50 km/h gjatë një ndjekjeje të shpejtë të të dyshuarve që thuhet se kanë grabitur një bankomat.

Siç bëhet e ditur, polici u kap në të vërtetë dy herë nga radarët, gjatë ndjekjes. Në rastin e parë, ai ishte duke udhëtuar 30 km/h mbi limitin e shpejtësisë, ndërsa për herë të dytë ai ishte duke shkuar 42 km/h mbi kufirin ligjor.

Kështu, prokurorët konsideruan se incidenca e parë e shpejtimit ishte në përputhje me kërkesat taktike, por gjykata kantonale e Gjenevës vendosi se rasti i dytë ishte një shkelje e rëndë e rregulloreve të trafikut dhe gjobiti shoferin me 600 franga.

Në një vendim të publikuar të martën dhe të cituar nga agjencia zvicerane e lajmeve SDA, Gjykata e Lartë Federale e mbështeti atë vendim.

Gjykata tha se shpejtësitë gjatë një ndjekjeje me shpejtësi të lartë duhej të ishin proporcionale.

“Shpejtësi më të larta ishin të ligjshme nëse jetët ishin në rrezik”, shpjegoi gjykata.

Por gjykata tha se në rastin aktual, shoferi i policisë kishte dijeni se të dyshuarit nuk do të dëmtonin askënd. Kështu, megjithëse ishte në interesin publik për të ndaluar kriminelët, shoferi duhet të kishte zgjedhur një shpejtësi që nuk e kishte vënë në rrezik sigurinë e të tjerëve, deklaroi gjykata.