23:16 / E Diele, 06 Nëntor 2022 / AR

Policia deklarohet për hedhjen e koktej molotovit në drejtim të një shtëpie në Kishnicë

Një shishe me substancë të lëngshme është hedhur në drejtim të një shtëpie në fshatin Kishnicë, sot rreth orës 20:00. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për Prishtinën, Flora Ahmeti.

“Më 06.11.2022, rreth orës 20:00, kemi pranuar informatën se në fshatin Kishnicë, në drejtim të një shtëpie, është hedhur një shishe që dyshohet të ketë qenë e mbushur me substancë në gjendje të lëngshme e cila ka mbetur të konfirmohet pas ekzaminimeve të nevojshme”, u shpreh Ahmeti.

Ahmeti tha se nuk është raportuar për të lënduar e as për dëme materiale.

“Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim me prokurorin e shtetit menjëherë ka ndërmarrë veprimet hetimore preliminare, të cilat aktualisht sugjerojnë që rasti është i izoluar në vetvete dhe të gjitha indicet orientojnë në drejtim të tillë”, ka shtuar ajo.