11:10 / E Martë, 16 Janar 2018 / indeksADMonline

Policia e Kosovës deklarohet për vrasjen e Oliver Ivanoviq

Policia e Kosovës është deklaruar lidhur me vrasjen e liderit të Iniciativës Qytetare serbe ‘Liri, demokraci, drejtësi’, Oliver Ivanoviq.

Sipas Policisë ,rreth orës 08:10 min, në rrugën “Sutjeska” në veri të Mitrovicës, është regjistruar një incident me përdorim armë zjarri, me ç’rast persona deri më tani të panjohur kanë shtënë në drejtim të  Oliver Ivanoviq, i cili fillimisht është plagosur në afërsi të zyrës së tij të punës.

“Viktima është dërguar në qendrën spitalore në veri të Mitrovicës për reanimim, ndërsa mjekët kujdestarë kanë konstatuar vdekjen e tij. Njësitë policore kanë dalë në vendngjarje ndërsa këqyrja e vendit të ngjarjes është në vazhdim e sipër. Në vendngjarje janë gjetur prova materiale të cilat do të përdoren në procedurën e mëtejme hetimore. Gjithashtu, rreth orës 09:15min, në rrugën “Vojvode Putnika” në veri të Mitrovicës, është lokalizuar një veturë private e markës “Opel Astra”, pa targa të regjistrimit, të cilës paraprakisht i ishte vënë zjarri, ndërsa Policia dyshon se mund të jetë e lidhur me rastin e vrasjes”, thuhet në komunikatë, transmeton Indeksonline.

Gjithashtu thuhet se për të gjitha rrethanat e rastit dhe veprimet e ndërmarra të Policisë është informuar prokurori i Shtetit, i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, i cili ka dalë në vendngjarje.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbardhjen sa më parë të këtij rasti dhe sjelljen e personit/ave të dyshuar para organeve të drejtësisë”, përfundohet në komunikatën për media./Indeksonline/