21:16 / E Martë, 06 Dhjetor 2022 / shkelqim osmanaj

Policia e Kosovës del me komunikatë rreth tensioneve në Veri

Policia e Kosovës përmes një komunikate të lëshuar për media ka njoftuar se PK dhe KFOR-i janë duke ekzaminuar vendin e ngjarjes dhe po punojnë për pastrimin e zonës ku ka pasur shpërthime. Gjersa, është theksuar se Policia e Kosovës po punon me intensitet të lartë për identifikimin e personave dhe sjelljen e kryerësve të veprave para organeve të drejtësisë.“Policia e Kosovës dhe KFOR-i (njësitet kompetente për deminim-EOD) janë duke ekzaminuar vendin e ngjarjes, për pastrimin e zonës, përderisa PK-ja është duke punuar me intensitet të lartë për identifikimin e këtyre personave të dyshuar dhe zhvillimin e hetimeve profesionale për sjelljen e kryerësve të këtyre veprave penale para organeve të drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Tutje, Policia e Kosovës ka theksuar se situata në veri është stabile dhe ka ftuar qytetarët të bashkëpunojnë me Policinë e vendit dhe të mos bien pre e raportimeve të cilat, këta të fundit po i quajnë tendencionze dhe të pavërteta.“Policia e Kosovës me qëllim të informimit të drejt të opinionit publik lidhur me zhvillimet e fundit në komunat e veriut të vendit njofton se publikimet e shkrimeve të cilat i referohen deklarimeve nga përfaqësues të Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë janë të pavërteta dhe tendencioze, si dhe sqaron për opinionin publik dhe mediat me sa vijon: Këto deklarime nga zyra serbe kanë për qëllim dëmtimin dhe krijimin e narrativave përmes të cilave atakohet profesionalizmi, legjitimiteti dhe misioni kushtetues i PK-së për rend dhe ligj në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën për media të PK-së.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë kryer të gjitha veprimet policore të kërkuara nga autoritetet e KQZ-së, dhe njësitë policore kanë asistuar zyrtarët e KKZ-së në zyrat e komisionit komunal zgjedhor.

“Njësitë policore të rendit publik kanë asistuar zyrtarët e Komisionit Komunal Zgjedhor në zyrat e komisionit komunal zgjedhor, të cilat ndodhen në komunat Zubin Potok e Mitrovicë Veri me qellim të  kryerjes së detyrave dhe kompetencave të  tyre ligjore.Të gjitha veprimet policore janë kryer në pajtim me ligjin në ofrimin e asistencës së kërkuar ndaj autoriteteve shtetërore të KQZ-së”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Sipas Policisë së Kosovës, dëmtimet e zyrave të KKZ-së janë bërë nga persona të dyshuar, të dhunshëm që e kanë bërë këtë me mjete të rrezikshme.“Referuar gjendjes në teren ju njoftojmë se dëmtime të zyrave të komisionit zgjedhor komunal në Mitrovicë Veri janë bërë nga persona/grupe të dyshuar/a të maskuar, të dhunshëm të cilët kanë përdor mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

Ndër të tjera, PK ka theksuar se do të vazhdojë angazhimin në shërbim te të gjithë qytetarëve.“Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj në realizimin e detyrave policore në shërbim të qytetarëve të vendit, komuniteteve pa dallim dhe ofrimin e sigurisë së përgjithshme në gjithë territorin e vendit”, ka përfunduar Policia në komunikatë.