13:56 / E Enjte, 22 Dhjetor 2022 / L K

Policia e Kosovës demanton spekulimet për pengimin e autobusëve në Shtërpce, që kishin për qëllim shkuarjen në protestë

Protesta në Rudar të Zveqanit ka përfunduar e qetë, Policia e Kosovës përmes komunikatës ka demantuar spekulimet për gjoja pengimin e autobusëve në Shtërpce, që  kishin për qëllim shkuarjen në protestë.

“Referuar deklarimeve dhe publikimeve të  disa mediumeve se gjoja autobusë me protestues të  cilët kishin për qëllim shkuarjen në  protestën e paraparë të mbahet në Rudarë të Zveqanit, janë penguar nga Policia e Kosovës, janë të pavërteta dhe nuk qëndrojnë”, kanë njoftuar PK-ja.

“Gjatë realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore në funksion të garantimit të  ligjit dhe sigurisë,  një autobus është ndaluar sipas procedurave të kontrollit rutinor dhe gjatë  verifikimit të  dokumenteve disa persona nuk kanë  pranuar të legjitimohen nga autoritetet kompetente, prandaj në mënyrë vullnetare (me vetë dëshirë) nuk kanë vazhduar tutje”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Policia e Kosovës siç ka njoftuar përmes komunikatës së saj para fillimit të  protestës, ka theksuar njohjen e të drejtës ligjore për të protestuar në mënyrë të qetë nga secili qytetarë si dhe angazhimet policore në  respektimin e të drejtave dhe lirive njerëzore pa dallim.

Sipas vlerësimeve në terren rreth orës 13:00, protesta ka përfunduar e qetë, pa ndonjë  incident të  raportuar dhe në të kanë marrë pjesë rreth 1.500 pjesëmarrës.