10:40 / E Premte, 05 Mars 2021 / k.v

Policia e Kosovës e vendosur, nuk lejon brenda saj pjesëtarë të lidhur me krimin

Tetë zyrtarë policorë kanë përfunduar sot në pranga si të dyshuar për vepra të ndryshme penale. Policia e Kosovës, si institucion i besuar nga qytetarët nuk lejon dhe nuk do të lejojë asnjëherë që brenda saj të këtë pjesëtarë të inkriminuar.

Që nga shtatori i vitit të kaluar kur nisen aksionet për kapjen e policëve në Karaqevë si të dyshuar për organizim të bixhozit të paligjshëm po bëhet vazhdimisht pastrimi i policisë.

Aksione të tilla do të këtë edhe në të ardhmen dhe asnjë zyrtar policor që është i lidhur me krimin nuk do të këtë vend në polici.

Pastrimi i policisë ka nisur shumë kohë më parë dhe kjo bënë që ky institucion të vazhdojë të jetë një ndër më të besuarit në vend.

Prokuroria në njoftimin e lëshuar para pak minutave ka bërë të ditur se për realizimin e aksionit të sotëm, ku u arrestuan tetë zyrtarë policorë, kontribut shumë të madh ka dhënë Policia e Kosovës, e cila që nga fillimi i këtij rasti është angazhuar me Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe Inspektoratin Policor të Kosovës për të hetuar rastin.

Policia e Kosovës nuk do të tolerojë sjelljet e mundshme jo profesionale dhe tejkalimin e autorizimeve policore dhe është zotuar se do të trajtohet secili pretendim i qytetarëve për shkelje të të drejtave të njeriut.

Këtë javë madje u zhvillua edhe një takim midis drejtorit të policisë dhe atij të IPK-së ku është diskutuar për çështje që ndërlidhen me fuqizimin e integritetit policor, ngritjen e nivelit të disiplinës si dhe imazhit policor.

Si drejtori i përgjithshëm i PK-së ashtu edhe kryeshfi ekzekutiv i IPK-së u shprehën se do të mbeten të përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore nga policia në mënyrë profesionale për të gjithë qytetarët e vendit./IndeskOnline/