75 Mall Live Search
22:57 / E Enjte, 10 Korrik 2025 / H F

Policia jep detaje rreth arrestimit të Bilall Kqikut, i cili ra nga kati i 4-të në përpjekje për t’i ikur arrestimit

Policia e Kosovës ka reaguar pas një ngjarjeje të rëndë që ndodhi sonte, rreth orës 20:30, në lagjen e Spitalit në Prishtinë.

“Sot rreth orës 20:30, në lagjen e Spitalit në Prishtinë, një person ka rënë nga lartësia e një ndërtese. Bazuar në informacionet e para nga vendi i ngjarjes, i dyshuari i cili po kërkohej me urdhër-arrest vendor dhe ndërkombëtar, për veprën penale vrasje e rëndë, në përpjekje për t’iu shmangur arrestimit policor, ka rënë nga një lartësi dhe për pasojë ka pësuar lëndime trupore. Të njëjtit menjëherë i është ofruar tretmani mjekësor, për tu transferuar më pas në QKUK”, thuhet në njoftim, transmeton IndeksOnline.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Vëllëzërit Asllani”, ku sipas burimeve, bëhet fjalë për Bilall Kqikun, personin e kërkuar në lidhje me vrasjen e rëndë që ndodhi më herët këtë vit në fshatin Kolovicë të Prishtinës.

Nga Emergjenca në QKUK kanë konfirmuar për IndeksOnline se Kqiku ndodhet në gjendje të rënduar dhe aktualisht i janë duke u bërë ekzaminime mjekësore.

“Po, aktualisht janë duke iu bërë ekzaminime mjekësore”, ka deklaruar Avdush Bajgora për IndeksOnline.

Policia ka njoftuar se në bashkëpunim me institucionet tjera përkatëse është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje.