20:27 / E Premte, 26 Janar 2018 / indeksADMonline

Policia e Kosovës mbyllë dhjetëra llogari në rrjetet sociale që lidheshin me terrorizmin (Video)

Luftërat në lindjen e mesme nxitën përfshirjen e mijëra evropianëve në mesin e të cilëve edhe 900 luftëtarë nga vendet e Ballkanit përfshirë Kosovën. Studimet e ndryshme nxorën në pah rolin e rrjeteve sociale në rekrutimin e luftëtarëve të huaj dhe shpërndarjen e ideologjive ekstremiste.

Policia e Kosovës njofton se vetëm gjatë vitit 2017 ka mbyllur dhjetëra llogari në rrjetet sociale ku përhapeshin ideologji të tilla.

Zëdhënësi i policisë Daut Hoxha tha në një bisedë me zërin e Amerikës se departamenti i krimeve kibernetike dhe ai kundër terrorizmit po bashkëpunojnë në vazhdimësi që të zbulojnë dhe të parandalojnë ide të tilla në internet, transmeton Indeksonline.

“Policia e Kosovës dhe institucionet tjera në kohë kanë identifikuar kërcënimin që paraqet përdorimi i internetit dhe shërbimeve të tij nga ana e grupeve ekstremiste dhe terroriste si dhe ka marr masa për identifikimin e personave dhe grupeve të përfshira në këto aktivitete. Bëhet pra monitorimi dhe në këtë kontekst policia në koordinim me autoritetet ka mbyllur dhjetarë llogari në rrjete sociale. Sipas të dhenve që kemi rastet që lidhen me krime kibernetike vetëm gjatë vitit që po lëmë pas janë trajtuar mbi 40 raste të tilla dhe bazuar në procedura ligjore janë ndërmarrë të gjitha veprimet për kompletim dhe procedim të këtyre rasteve në prokurori apo organe tjera të drejtësisë”, ka thënë Hoxha. /Indeksonline/