15:00 / E Shtunë, 29 Shtator 2018 / indeksADMonline

Policia e Kosovës përcjelli eskortën e Presidentit Thaçi në Veri

Policia e Kosovës (PK) me njësitet e saja relevante sot (29.09.2018), ka qenë e angazhuar në përcjelljen e eskortës së Presidentit të Republikës së Kosovës Hashim Thaqi, e cila u realizua në veri të Mitrovicës.

Sipas njoftimit të PK-së, njësitet policore janë kujdesur që të ofrojnë siguri gjatë gjithë kohës së vizitës së delegacionit në veri të Mitrovicës, vizitë kjo e cila u realizua konkretisht në Pikën Kufitare Bërnjak dhe tek Liqeni i Ujmanit.

Vlen të potencohet se Policia e Kosovës, është kujdesur në aspektin e sigurisë që kjo vizitë të kalojë e qetë dhe pa incidente, ashtu edhe si e tillë ka përfunduar.

Policia e Kosovës vazhdon të angazhohet dhe të jetë profesionale, në respektimin dhe zbatimin e ligjit, gjatë implementimit dhe realizimit të detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore.

Ndryshe, Indeksonline ka bërë fotografi ekskluzive të Presidentit Thaçi pranë Liqenit të Ujmanit në Gazivodë./Indeksonline/