19:29 / E Shtunë, 31 Korrik 2021 / OSH

Policia e Shqipërisë e rreptë/ “Fluturonin” në rrugë me 166 km/h, në 6 orë hiqen 19 patenta

Në pikun e sezonit turistik policia rrugore ka shtuar kontrollet dhe monitorimin me radar në rrugët e vendit nga veri në jug për personat të cilët ‘fluturojnë’ me automjetet e tyre duke rrezikuar jetën e tyre dhe të qytetarëve. Në vetëm 6 orë monitorim në aksin interurban Fier-Vlorë, në Bypass, janë hequr 19 patenta për shpejtësi që varionin nga 145 km/h deri në 166 km/h dhe janë vendosur 62 gjoba.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë hequr 63 patenta për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit. Në të gjithë vendin janë arrestuar 11 shtetas, nga këta 6 për drejtim mjetin në gjendje të dehur dhe 5 për drejtim mjeti pa patentë.


Po gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë vendosur 1690 gjoba për parakalime të gabuara, për shpejtësi mbi normat e lejuara, për përdorim celulari gjatë drejtimit të mjetit, për mosvendosje të rripit të sigurimit e kaskës mbrojtëse dhe parkime të gabuara që pengojnë lëvizjen e lirë të këmbësorëve dhe automjeteve.