11:14 / E Shtunë, 08 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Policia flet për hyrjen e Cecës në Kosovë

Edhe sot pritet që të mbahet një protestë nga komuniteti serb në Mitrovicën e Veriut, si kundërshtim ndaj taksës prej 100% të vendosur nga Qeveria e Kosovës për produktet serbe.

Në këtë protestë është paralajmëruar se do të marr pjesë edhe këngëtarja serbe, Svetlana Raznatovic e cila është e njohur me emrin artistik si Ceca.

Por, ditën e djeshme ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, pati kërkuar që institucionet e sigurisë të marrin masa për të mos lejuar hyrjen e Cecës në Republikën e Kosovës. Kjo pasi që këngëtarja në fjalë nuk ka marrë leje nga dikasteri që ky ministër udhëheq.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë për Indeksonline se institucioni që ai përfaqëson zbaton vendimet e ligjshme që merren nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Sipas tij, çdo person në cilësi të qytetarit mund të hyjë në Republikën e Kosovës, nëse ai i plotëson kushtet dhe kriteret e hyrje-daljes në pikat kufitare.

“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit, dhe zbaton vendimet e ligjshme që merren nga institucionet e RKS-së. Në të kundërtën në cilësi të qytetarëve mund të hyjë në RKS, kushdo që i plotëson kushtet dhe kriteret e hyrje-daljes në pikë kufitare” ka thënë Kelani për Indeksonline.

Po i njëjti ditën e djeshme pati thënë që Policia e Kosovës nuk ka marr ndonjë vendim për të ndaluar hyrjen e saj në Republikën e Kosovës.

Ndryshe, koncerti i organizuar në Mitrovicën e Veriut pritet të nis sot në ora 12:00 dhe është pjesë e protestave kundër taksës 100% dhe përkrahje për serbët e Kosovës./Indeksonline/