18:40 / E Hënë, 25 Tetor 2021 / MSH

Policia gjermane ruan kufirin polak për shkak të fluksit të emigrantëve nga Bjellorusia

Qindra oficerë policie po ruajnë kufirin gjermano-poloni për shkak të fluksit të emigrantëve që vijnë nga Bjellorusia, shkruan Euronews, përcjellë IndeksOnline.

Ministri i Punëve të Brendshme në Gjermani, Horst Seehofer, tha se qindra oficerë janë në detyrë ditë e natë dhe se nëse është e nevojshme do t’i përforcoj edhe më tej.

“Unë jam i bindur, në frymën e idesë evropiane, se ne duhet të dimë se kush po vjen tek ne. Është legjitime që ne të mbrojmë kufirin e jashtëm në atë mënyrë që të parandalohen kalimet e pazbuluara kufitare,” shtoi ai.

Polonia dhe vendet baltike Letonia dhe Lituania kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme në kufirin e tyre me Bjellorusinë për shkak të fluksit të emigrantëve.

Bashkimi Evropian ka akuzuar Minskun për lehtësimin e migrimit në bllok për t’u kundërpërgjigjur ndaj sanksioneve të vendosura nga Brukseli ndaj zyrtarëve dhe subjekteve bjelloruse lidhur me zgjedhjet e diskutueshme presidenciale të gushtit 2020.

Agjencia kufitare e BE-së, Frontex, tha në fillim të këtij muaji se Lituania është më e prekura me 4,170 kalime të paligjshme kufitare të zbuluara që nga fillimi i vitit, ndërsa Polonia pa 1,380 gjatë së njëjtës periudhë kohore. Shifrat për Letoninë nuk janë dhënë.

Ministria e Brendshme gjermane tha javën e kaluar se kishte regjistruar 5,700 hyrje të paligjshme në Gjermani të lidhura me Bjellorusinë.