08:58 / E Mërkurë, 14 Gusht 2019 / indeksADMonline

Policia identifikon të rinjtë që u rrahën me karrige, në Gjilan, të gjithë nën ndikim alkooli

Disa të rinj janë përfshirë në një përleshje fizike në Gjilan. Rasti ka ndodhur në një restorant të një pope të derivative, derisa në video shihen disa djem të cilët goditen edhe me tavolina e karriga në mes vete.

Incidentin për Indeksonline e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë në Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Ai ka thënë se rasti ka ndodhur në pompën e karburanteve “HIB –Petrol”, derisa tashmë janë identifikuar edhe të dyshuarit, ku të gjithë ishin nën ndikim alkooli.

“Policia e Kosovës në Gjilan është njoftuar për një rast rrahje në pompën e karburanteve HIB- petrol. Nga informatat e marra, incidenti ka ndodhë në orët e vona të natës të datës 12 gusht 2019 ,në mes të pesë personave të dyshuar. Pas një fjalosje të ashpër është shkaktuar rrahja , duke goditur njëri -tjetrin me mjete të forta. Njëri nga personat e përfshirë në incident ka pësuar lëndime dhe ka kërkuar ndihmën e mjekut. Nga ana e policisë së Kosovës janë identifikuar të dyshuarit dhe në bazë të matjeve ka rezultuar se që të gjithë të dyshuarit kanë qenë nën ndikim alkooli”, ka thënë Hashani.

Ai më tej, ka shtuar se për incidentin është njoftuar prokurori i shtetit. Njësitet e hetimeve të stacionit policor të Gjilanit janë duke i bërë hetimet rreth rastit./Indeksonline/