19:17 / E Premte, 01 Korrik 2022 / MSH

Policia jep detaje mbi laboratorin e narkotikëve në Leposaviq

Policia e Kosovës, sot pas hetimeve paraprake ka parashtruar kërkesë për urdhër-kontroll në organet e drejtësisë për kontrollin e një objekti pronë e të dyshuarit G.J., në Leshak të Leposaviqit, pasi në objekt dyshohej se kultivohej bima e kanabisit.

Pas marrjes së këtij urdhri, sot më 01.07.2022, rreth orës 10:10, gjatë realizimit të kontrollit të objektit, në dy kate të tij,  janë gjetur pajisje për kultivimin e  kanabisit me vlerë qindra-mijëra euro.

Laboratori ishte i pajisur mirë dhe ishte në gjendje të gatshme për të filluar mbjellja e bimëve të kanabisit, pra aty mungonin vetëm bimët, pasi gjithçka tjetër ishte e gatshme.

Në konsultim me prokuroren ka filluar sekuestrimi i pajisjeve që janë gjetur në atë ndërtesë. I dyshuari gjendet në arrati, kurse policia do të vazhdojë me hetimin dhe kompletimin e rastit.