75 Mall Live Search
10:27 / E Premte, 05 Qershor 2026 / KV

Policia jep detaje për arrestimin e një personi në Graçanicë, dyshohet për ryshfet në zgjedhje

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”, pas një aksioni të realizuar në Graçanicë.

Sipas njoftimit zyrtar, më 4 qershor 2026, rreth orës 19:30, policia ka pranuar informacione se një person ishte i përfshirë në aktivitete të kundërligjshme që lidhen me procesin zgjedhor.

Hetimet kanë zbuluar dyshime se i arrestuari, mashkull kosovar i nacionalitetit serb, kishte ftuar qytetarë në një lokal në fshatin Uglarë të Graçanicës, ku dyshohet se i udhëzonte se si të votonin për subjektin politik Lista Srpska dhe kandidatët e saj.

Sipas policisë, në këmbim të votës, qytetarëve u ishte premtuar se do të përfitonin pensione sociale nga shteti i Serbisë.

Njësitë relevante policore kanë kryer kontroll në lokalin ku dyshohet se zhvilloheshin këto aktivitete, si dhe në shtëpinë e të dyshuarit. Gjatë bastisjeve janë sekuestruar dëshmi materiale që lidhen me rastin.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.

Policia e Kosovës ka bërë thirrje që qytetarët të mos bien pre e manipulimeve dhe të raportojnë çdo parregullsi apo veprim të kundërligjshëm që lidhet me procesin zgjedhor.