15:03 / E Martë, 27 Gusht 2019 / indeksADMonline

Policia jep detaje për të shtënat me armë midis 2 grupeve, në Prishtinë

Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth të të shtënave me armë zjarri pasditen e sotme, në Prishtinë.

“Sot rreth orës 13:00, kemi pranuar informatën se në rrugën “Nazim Gafurri” në Prishtinë, ka pasur të shtëna me armë zjarri.

Policia me të marrë informatën ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është duke e bërë ekzaminimin e vendit ku ka ndodhur rasti.

Bazuar në të dhënat e para dyshohet se ka pasur shkëmbim zjarri midis dy grupeve, të cilët kanë vazhduar të shtënat edhe pasi janë futur në veturat e tyre, me të cilat kanë lëvizur në rrugën e sipërpërmendur.

Në kuadër të veprimeve të saj, policia me një intensitet të shtuar ka ndërmarrë një varg veprimesh operative e hetimore, me fokus zbulimin e identitetit dhe vendndodhjen e të dyshuarve të mundshëm si edhe ka zgjeruar rrethin e hetimit në përpjekje për  të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin”, thuhet në përgjigjen e PK-së për “Indeksonline”.