17:11 / E Diele, 29 Nëntor 2020 / Blerim

Policia operacion bastisjeje në Ballaban të Podujevës, sekuestron 3 armë dhe arreston 2 persona

Drejtoria Rajonale e Policisë – Prishtinë, po ndërmarr të gjitha masat e nevojshme policore për të siguruar rendin dhe qetësinë publike në rajonin e Prishtinës.

Agron Borovci, zëdhënës në Policinë e Kosovës në Rajonin e Prishtinës, ka dhënë detaje për të shtënat me armë zjarri në fshatin Ballaban, që ka ndodhur dje.

“Varësisht nga tendencat e lëvizjes së veprave kriminale po ndërmerren edhe veprimet policore me qëllim parandalimin e tyre apo kapjen e të dyshuarve të përfshirë në vepra kriminale.

Kësisoj më datë 28.11.2020 rreth orës 19:00, pas marrjes së informatave në rrugë operative për të shtëna me armë zjarri në fshatin Ballaban, policia ka realizuar një operacion bastisjeje, i cili ka rezultuar me gjetjen dhe sekuestrimin e tri armëve.

• Një pushkë gjysmë automatikë,

• Një pushkë gjuetie, si dhe,

• Një revole.”, ka thënë Borovci për IndeksOnline.

Derisa, personat e dyshuar; E. B mashkull, 26 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, si dhe I. SH mashkull, 26 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, janë shoqëruar në stacionin policor dhe pas intervistimit me rekomandimin e prokurorit të shtetit ndaj tyre është iniciuar rasti për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve.