11:00 / E Enjte, 12 Tetor 2023 / k.v

Policia parandalon kontrabandën me mallra në veri (Foto)

Policia e Kosovës, në vazhdën e zhvillimit të aktiviteteve me intensitet të shtuar, me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të personave kryes të veprave penale dhe dukurive të tjera negative, si rezultat edhe i ndërveprimeve të përbashkëta të njësive policore me ato të njësive policore kufitare, kanë ndaluar disa automjete të ngarkuara me mall të dyshuar për kontrabandim në fshatin Kozarevë-KK Zveçan.

Me datën 11.10.2023, rreth orës 22:45 në lokacionin e lartcekur, nga njësitë kompetente policore janë ndaluar pesë automjete të dyshuara, ku nga to 4 (katër) me targa të Serbisë dhe 1 (një) me targa të RKS-së, që të gjitha me drejtues 5 (pesë) të dyshuar meshkuj kosovarë, ku gjatë kontrollit të mjeteve janë hasur sasi e konsiderueshme e mallrave (produkte ushqimore dhe higjienike) të dyshuara si të kontrabanduara nga Serbia në Republikën e Kosovës.

Lidhur me rastin është konsultuar prokurori kompetent, me urdhër të të cilit iniciohen rastet ‘kalim i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose vijës kufitare’ dhe ‘kontrabandim me mallra’, ku të njëjtat procedohen në procedurë të rregullt, ndërsa mjetet e përfshira në rast dhe mallrat e ngarkuara sekuestrohen dhe dërgohen në terminalin doganor – Mitrovicë për procedura të mëtejme, në koordinim me Doganën e Kosovës për trajtim sipas kompetencave.