Policia po trajton informatat për sulmin kibernetik edhe në Post Telekomin e Kosovës

Policia e Kosovës ka konfirmuar lajmin se është duke i trajtuar informatat për sulm kibernetik që kanë ndodhur sot gjatë ditës në Ministrinë e Financave dhe në Post Telekomin e Kosovës.
“Sot është raportuar për sulme kibernetike në dy institucione. Informatat e pranuara po trajtohen nga ana e specialisteve të policisë për hetimin e krimeve te tilla në koordinim me institucionet ku dyshohet të kenë ndodhur.”, ka bërë të ditur për IndeksOnline, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës Agron Borovci.
Përderisa ministri në detyrë i Financave, Agim Krasniqi ka konfirmuar për IndeksOnline se ka pasur një sulm, të njëjtën gjë e kanë mohuar nga Post Telekomi i Kosovës. Ata përmes një postimi në faqen zyrtare e kanë mohuar të kenë pasur sulm kiberentik.
“Telekomi i Kosovës është sulmuar me lajme të rrejshme dhe shumë të dëmshme për biznesin tonë. Nuk jemi sulmuar e as nuk është rrezikuar as edhe një IP e vetme. E gjitha është sajuar nga ekspertë të vetshpallur. Fillimisht, Telekomi i Kosovës nuk e ka këtë numër të IP adresave siç pretendohet, ndërsa që në matjet tona të brendshme nuk është vërejtur as edhe një sulm e lëre më ajo që po pretendohet. Ky është një sulm direkt ndaj biznesit tonë dhe qëllimet i dijnë vetëm ata që po bëjnë gjëra të tilla. Ne e kemi kontaktuar edhe personin që e ka publikuar një lajm të tillë, por i njëjti nuk është përgjigjur. Duam të ju bëjmë me dije të gjithë konsumatorëve tanë që të mos shqetësohen asnjë moment për shërbimet që marrin nga ne, ndërsa, i ftojmë të gjithë ata që krijuan lajme të rreme që t’i përmirësojnë ato, përndryshe do të ndjekim penalisht për dëmtim të imazhit dhe biznesit të Telekomit të Kosovës”, thuhet në reagim.