Policia shqiptare e shpallë person në kërkim të dyshuarin për vrasjen e policit në Fier
Policia e shtetit në Shqipëri e ka shpallur si person në kërkim të dyshuarin kryesor për vrasjen e policit Novruz Cenaliaj sot në Fier. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Baltëz, pas një konflikti të çastit.
Efektivi i policisë ishte jashtë orarit të shërbimit, por i veshur me uniformën e Policisë, pasi shkonte për të marrë shërbimin.
“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në fshatin Baltëz, ku u vra me armë zjarri, punonjësi i Policisë (jashtë shërbimit), shtetasi N. C., Policia e Shtetit kërkon ndihmën dhe bashkëpunimin e qytetarëve për lokalizimin e autorit të dyshuar të vrasjes, shtetasit Azgan Mernica, 23 vjeç, banues në fshatin Sulaj.
Kushdo që ka informacion të telefonojë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin. Për çdo informacion të vlefshëm, Policia e Shtetit vë në dispozicion shpërblimin 30 000 euro.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë së Fierit, Forca Kombëtare e Sigurisë dhe Reparti Special “RENEA”, në drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, vijojnë veprimet operacionale në zonë, me qëllim kapjen dhe vënien në pranga të 23-vjeçarit.
Gjithashtu, në të gjitha akset rrugore lidhëse me qarkun Fier janë ngritur pika kontrolli” thuhet në njoftimin e policisë./Indeksonline/