12:02 / E Shtunë, 12 Maj 2018 / indeksADMonline

Policia tregon numrin e armëve që konfiskojnë për një vit

Posedimi i armëve në Republikën e Kosovës po përdoret me të madhe kohëve të fundit, madje edhe tek personat civil. Disa prej tyre të njëjtën e posedojnë pa licencë të lëshuar nga organet e sigurisë.

Në rast se kapen nga policia me armë pa leje atëherë mund të dënohen me gjobë rreth 2500 euro.

Në një përgjigje për “Indeksonline”, Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha ka treguar se për çdo vit ky institucion konfiskon 1200 deri 1500 armë të llojeve të ndryshme.

Ai thotë se posedimi i armëve në Republikën e Kosovës rregullohet me ligj. Prandaj,  sipas tij, bartja apo posedimi i tyre në mënyrë të kundërligjshme është e sanksionuar.

Më tej, Hoxha shton se sikur në vendet e rajonit dhe më gjerë edhe Policia e Kosovës bënë përpjekje për identifikimin e armëve ilegale dhe reduktimin e prezencës së tyre në mënyrë të kundërligjshme.

“Përpjekjet e Policisë së Kosovës përmes angazhimeve aktive planeve operacionale policore por edhe nëpërmjet fushatave vetëdijesuese nëpër vite kanë ndikuar që rastet e përdorimit te armëve nëpër evenimente gazmore apo dasma te shënojnë rënie, dhe qytetarët gradualisht ta kuptojnë se kjo paraqet rrezik direkt për jetën e tyre dhe te qytetarëve tjerë”, është shprehur Hoxha.

Tutje, zyrtari policor ka apeluar të gjithë qytetarët që t’i shmangen posedimit të armëve pa leje, pasi sipas tij, do të ndërmerren masa të menjëhershme ligjore nga organet kompetente.

“Armët ilegale paraqesin një rrezik potencial edhe për qytetarët e vendit, por janë një sfidë edhe për institucionet e në veçanti ato të sigurisë. Për këtë arsye Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët që t’i shmangen posedimit apo përdorimit të paligjshëm të armëve dhe të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës duke raportuar te gjitha rastet ku vërehen armë apo mjetet tjera të rrezikshme që mund të cenojnë sigurinë e përgjithshme, ne mënyrë qe veprime dhe masa të menjëhershme ligjore te ndërmerren nga organet kompetente”, ka thënë më tej ai.

Në fund, ai ka shtuar se Policia e Kosovës të gjitha këto raste i trajton duke u bazuar në ligjet e aplikueshme në vend dhe në konsultim me Prokurorinë kompetente ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për kompletim dhe procedim të rasteve në organet e drejtësisë.

“Ne në vazhdimësi kemi ndërmarr veprime konkrete për parandalim qoftë përmes operacioneve policore për konfiskimin e armëve ilegale apo edhe përmes fushatave të ndryshme për vetëdijesim për të gjitha aktivitetet e kundërligjshme që mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi në rrezikimin e sigurisë së përgjithshme apo që mund të qojnë tek kryerja e akteve të tilla, duke përfshirë vrasjet, plagosjet si dhe plagosjet nga plumbat bredhës nga ajri që paraqesin shqetësim për të gjithë”, ka përfunduar Hoxha./Indeksonline/