Policia vendos kamera sigurie në Cërnicë
Komiteti Lokal për Siguri Publike (KLSP) në fshatin Cërnicë, në bashkëpunim me
Koordinatorin e Projekteve për Komunitet dhe Parandalim DRP Gjilan, dhe Njësinë e Policisë
në Komunitet dhe Sektor, Stacioni Policor Gjilan, kanë realizuar me sukses projektin për
vendosjen e kamerave të sigurisë në fshatin Cërnicë.
Ky projekt është financuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE),
ndërsa është mbështetur edhe nga Komuna e Gjilanit, e cila ka siguruar furnizimin me energji
elektrike për funksionimin e sistemit të kamerave të sigurisë.
Qëllimi i projektit është rritja e nivelit të sigurisë publike, parandalimi i veprave penale,
mbrojtja e pronës dhe krijimi i një mjedisi më të sigurt për të gjithë qytetarët.
Vendosja e kamerave të sigurisë është mirëpritur dhe është mbështetur fuqishëm nga
komuniteti i fshatit Cërnicë, i cili e konsideron këtë projekt një investim të rëndësishëm në
rritjen e sigurisë dhe mirëqenies së banorëve.
Institucionet e përfshira do të vazhdojnë bashkëpunimin për realizimin e projekteve të tjera që
kontribuojnë në sigurinë dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.
Policia e Kosovës dhe Komiteti Lokal i Sigurisë – Cërnicë mbeten të përkushtuara në
identifikimin dhe adresimin e nevojave të qytetarëve, me synim krijimin e një ambienti të qetë
dhe sa më të sigurt për të gjithë.

