21:55 / E Diele, 15 Tetor 2017 / indeksADMonline

Politikanët dhe biznesmenët shqiptarë armatosen

Qindra shqiptarë kanë aplikuar për t’u pajisur me armë zjarri gjatë dy viteve të fundit, ndërsa Policia e Shtetit ka pajisur me autorizim 301 persona për blerje dhe mbajtje të armëve.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka formuar interesin në rritje të shqiptarëve për t’u pajisur me armë zjarri, kryesisht për shkaqe sigurie. Në grupin e personave të pajisur me autorizim për blerje dhe mbajtje të armëve të zjarrin, përpos kategorive të tjera, përfshihen zyrtarët dhe biznesmenët.

Zyrtarë të nivele të ndryshme, të ekspozuar ndaj rrezikuar, kanë shfrytëzuar ligjin nr. 74/2014 “Për armët” për t’u pajisur me armë zjarri.

Në grupin e zyrtarëve përfshihen prokurorë, gjyqtarë, deputetë, kryetarë bashkie, ish-kryetar komunash, policia pyjore, hetimi tatimor, përmbarues gjyqësor etj.

Deri kur hyri në fuqi ligji i ri për armët, rezultonte se, 350 zyrtarë ishin pajisur me armë zjarri, shkruan shqiptarja.com.

Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, Policia e Shtetit u kërkoi zyrtarëve dorëzimin e armëve, pasi ligji i 1992-shit, në bazë të të cilit ata ishin pajisur, u shfuqizua. Deri në prill të 2016, 168 zyrtarë nuk i kishin dorëzuar armët.

Megjithatë, zyrtarët fituan të drejtë për t’u ripajisur me armë në bazë të nenit 26 pika 1, të ligjit të ri për armët, i cili parashikon që, kanë të drejtë të pajisen me autorizim për blerje arme zjarri, ata që, për shkak të veprimtarisë shtetërore ose të rrethanave personale të veçanta, janë të ekspozuar ndaj rrezikut për jetën dhe u njihet e drejta e mbrojtjes së veçantë.

Në këtë kuadër, zyrtarët e interesuar pasi kanë dorëzuar armët në polici, kanë aplikuar edhe një herë për autorizim, duke blerë armë të reja.

Për biznesmenët dhe kategoritë e tjera shoqërore, neni 34 i ligjit për armët e zjarrit parashikon kriteret që duhet të plotësohen për t’u pajisur me autorizim për mbajtje të armës në banesë apo në lëvizje.

Vetëm në dy vitet e fundit, 2015-2017, rezulton se ka pasur një numër të madh kërkesash për autorizim, por policia ka pajisur me autorizim vetëm 301 persona fizikë, të cilët kanë plotësuar kushtet e parashikuara në ligj dhe në aktet nënligjore./shqiptarja