18:55 / E Mërkurë, 11 Tetor 2017 / indeksADMonline

Politikanët kosovarë i kanë mbushur xhepat nga Turqia gjatë ndërtimit të xhamive

Historiani, Jusuf Buxhovi konsideron se vizita e fundit e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan në Serbi nuk ishte e rastësishme, sepse sipas tij, gjithçka duhet parë në kontekst  të rolit që Turqia ia ka vënë vetës në këto relacione.

Në një intervistë për televizionin publik, ai ka përkujtuar se Turqia aktualisht është në rishikim të pozitës së saj në Ballkan dhe në rajon.

Sipas tij, ky shtet tash për tash ka probleme me Bashkimin Evropian, transmeton AktivPress.

“Kohëve të fundit ka probleme edhe me NATO-n, dhe gjithsesi kërkon që në një farë mënyre t’i ofrohet Rusisë”, ka thënë Buxhovi.

Mirëpo në raport me Kosovën, ai nuk e ka bërë përgjegjës presidentin turk.

“Konsideroj se që nga fillimi politika jonë ka qenë e papërgjegjshme. Politika jonë nuk e ka pas interesin e shtetin por në raport me Turqinë ka pasur më shumë interesa personale”, ka shtuar Buxhovi.

Në frymën e kësaj, ai ka vë në dukje se Turqia ka investuar në Kosovë  qindra miliona euro për ndërtimin e xhamive.

“Nëse Turqia sot investon qindra miliona euro në Serbi, a kemi kërkuar ne që Turqia të ndërtoj fabrika në Kosovë? A kemi kërkuar që Turqia të investojë në projekte kapitale në përputhje me strategjinë tonë. Nuk kemi kërkuar! Edhe ato investime që janë bërë, më shumë kanë qenë spekulative”, ka thënë Buxhovi, duke përkujtuar dhënien e distribucionit të KEK-ut me çmim shumë të lirë, që nuk ka shkuar në dobi të vet Kosovës.

Historiani kosovar ka shprehur bindjen se në relacionin Kosovë – Turqi është përzierë edhe islami politik.

Sipas tij, prestigjiozja gjermane “Der Spiegel ka shkruar se rreth 40% e mjeteve që Turqia i ka shpenzuar për ndërtimin e xhamive në Kosovë, e që në pyetje janë milionat, kanë përfunduar në xhepa të politikanëve kosovarë.

Mirëpo, mbi të gjitha, Buxhovi ka thënë se Turqia nuk është kundërshtare e Kosovës.

Turqia, sipas tij, ka marr pjesë në sulmet e NATO-s dhe ka qenë ndër të parat shtetet që e kanë njohur Kosovën./AktivPress

(Foto ilustrim)