75 Mall Live Search
15:28 / E Hënë, 29 Qershor 2020 / indeksADMonline

Populizmi, avokaturë apo gjyqësi e demokracisë neoliberale?

Prof. Dr. Fadil Maloku

Sot në pothuajse shumicën e shteteve të BE-ane, por, edhe shtetet me traditë të gjatë demokratike, sikurse Britania e Madhe, është evident numri i partive politike cilat e refuzojnë “arkitekturën” e sotme të BE-ane. Arsyet janë nga më të ndryshmet, por qëllimi mbetet i njëjtë. Tani edhe stigmat ideologjike, që po përdorën në Kosovë si paravëne e pretekste sociale për ta demonizuar kundërshtarin e caktuar politik, janë në rritje e sipër. Shkakun duhet kërkuar në atë se në botën e postmodernizmit politik dallimet ideologjike, janë aq minore sa që në Programet e sotme të partive politike evropiane p.sh. kjo “nuancë”as që përmendet e lëre më të futet në ligjërimet politike për të anatemuar kundërshtarin politike. Nëse, Winston Çerçil, pohonte se “demokracia është forma më e mirë e qeverisjes, derisa të zbulohet një formë tjetër qeverisëse”, atëherë, a ka gjasa që fjala populizëm i cili është shoqëruar me (shumë) kuptime të ndryshme në vitet e fundit, të mbahet si “ajo forma tjetër mē e sofistikuar qeverisëse” Çerciliane dhe të futet nē konkurrencë lojale me demokracinë e njëmendët? Etiketa “populiste” përdoret ende për të përshkruar partitë, udhëheqësit, lëvizjet, qëndrimet dhe regjimet politike. Për më tepër, mbiemri “populist” përdoret në një mënyrë normative në debatin publik për të denigruar ato lëvizje ose parti që kundërshtojnë pikëpamjet kryesore. Populizmi si një ideologji bazohet në dy tipare të domosdoshme, përkatësisht, (a) një mentalitet anti-elitar (s) dhe (b) kritika ndaj përfaqësuesit politika. Qysh kur u inaugurua si President i SHBA-ve, Donald Trump në vazhdimësi ka sulmuar mediet sociale, duke i quajtur gazetarët “ndër qeniet njerëzore më të pandershme në tokë” (Grynbaum 2017), duke pretenduar se ai është i obliguar që t’i demaskoj ato. Pra ka një spektër të tërë “xhevahiresh” që vetëm Trumpi di me i cilësua punën dhe angazhimin e medieve sociale. Poashtu, edhe Steve Bannon, që ishte pjesë e stafit udhëheqës deklaronte haptas se; mediet “duhet ta mbajnë gojën mbyllur” (Grynbaum 2017). Trump vështirë se është vetëm. Nëse pak hulumtojmë, kuptojmë se Trump lidhur me raportin ndaj medies, shpalon shumë thekshëm raportin e tij paragjykues dhe populist. Natyrisht, populizmi i tij, s’mund të krahasohet me Vladimir Putinin e Rusisê, i cili për këto dy dekada të têra ka absolutizuar kontrollin mbi mediet sociale ruse, apo Hugo Chavezin e Venecuelës, i cili për të ia mbyllur gojën opozitë mbylli gjashtë stacione lajmesh televizive, përfshirë Radio Caracas Televisión (Minder 2010), e sidomos Erdoganin e Turqisë, që mbylli 16 stacione, 15 revista dhe tre agjenci lajmesh (Mortimer 2016); dhjetëra apo edhe qindra gazetarë mbeten në burg (The New York Times 2018).

Ka shumë dëshmi publike politike që tregojnë se qasja populiste shoqërohet me rënie të kontrolleve institucionale dhe ekuilibrave ndaj autoriteteve ekzekutive, apo asaj që shquhet dhe identifikohet në traditën demokratike amerikane, si “check and balance”. Populizmi si koncept por më shumë si pakënaqësi ndaj demokracisë, u shndërrua me vetëdije në një fjalë gjithëpërfshirëse, që synon të denigrojë ose, të paktën, të kritikojë ato lëvizje ose parti, të cilat kundërshtojnë pikëpamjet idetē dhe bazamentet kryesore qytetare. Shikuar me këtë dioptri i bie që populizmi na del në një farë mënyre si një “futyrë” e degraduar dhe e deformuar e demokracisë! Por, a është gjithherë kështu? Për t’u përgjigjur kësaj dileme ne duhet paraprakisht të kuptojmë që indiferentizmi, por, edhe dhe kritika me kohë ndaj dukurive populiste, në fakt na ka çuar në identifikimin e saj me ideologjitë tjera politike e fetare, siç janë radikalizmi e ekstremizmi. Fakti dhe akti i “afërsisë”së populizmit me ideologjie e orientime të diskutueshme sociopolitike, ka bërë që ai të konsistohet edhe si një lloje kundërshtimi i politikës parlamentare dhe rrjedhimisht një alternative për demokracinë përfaqësuese. Demokracia mund të bëhet monotone edhe si kulturë qeverisëse, por, edhe si metodologji administrimi me njerëz kur ndodhë grusht shteti, por edhe kur vendimmarrje konsenzuale bëhet monotoni dhe rutinë sociale. Shkaku tjetër, zakonisht ndodh si rrjedhojë i mashtrimit në mekanizmin e votimit, dhe fillon me aktin e vetëzgjedhjes së një udhëheqësi autoritar i cili vazhdon me abuzimin e pushtetit dhe shtypjen e plotë të opozitës. Një tjetër dilemë, poashtu substanciale kur është në pyetje diskursi mbi populizmin, ka tē bëjë edhe me ligjërimet se me çfarë mekanizmash populizmi mund të sjell qeveritē më afër publikut, dhe sidomos cili është ai limiti social që na bënë ta kuptojmë se ai është bë kërcënim për demokracinë? S’këndejmi, në në analizën tonë sociologjike futemi më thellë, poashtu duhet ta dekonspirojmë rrafshin e asaj se; Kush është “populli” dhe kush mund të flasë në emër të tij? Pra, ku e gjen në fakt ku e mbështetë gjithë atë fuqi ndikuese populizmi i kohës sonë? Laiku, do thoshte ;”natyrisht, tek populli”! Por, kush është populli? Racionalisti, natyrisht fuqinë dhe madhështinë e ushtrimit të ndikimit do e adresonte tek pakënaqësia statusore e qytetarisë së margjinalizuar sociale. Empiristi, dosido këtë fuqi magnetike do e kërkonte tek zhgënjimi i një shtrese të caktuar sociale me elitat qeverisëse dhe tek dyshimi se ato janë korruptuar keqazi, me pluralizmin ekzistues politik. E meta kryesore që sot në mediet sociale u bëhet populistëve anekënd globit është se ata; pretendojnë se vetëm ata përfaqësojnë dhe avokojnë popullin dhe interesat e tij. Te Populistët, poashtu në gjykimin e tyre politik përfaqësimi moral i popullit, është ekskluzivitet që atyre u garanton një qeverisje stabile dhe koherente. Mirëpo, kur pushteti populist qeveriset me norma dhe parime morale, atëherë, ai pushtet padashtas rrëshqet dosdoshmērisht në autoritarizëm…që mënyra demokratike e qeverisjes e ka vështirë ta përballojë procesin e psh. shtetndërtimit, qê në rastin e Kosovës është ende imperativ. Dhe vetëm moral, e politik, por edhe kërkesë e domosdoshmëri historike!

Mirëpo, çfarë e bë populizmin aktiv dhe imponues në një vend të transicionit siç është Kosova? Pra, cili element apo cili faktor e fuqizon komponentin populist, në kohën kur si procesi i shtetndërtimit ashtu edhe ai i instalimit të demokracisë janë duke u zhvilluar aktivisht? Përgjigja dosido është e vështirë për t’i dhanë hakun. Ngase, në demokracitë transitive, e sidomos në ato që pretendojnë ta bëjnë këtë kalim ad hoc, shfaqen probleme të natyrës së interesave tjera. Ashtu që këto vende në pamundësi për ta instaluar në tërësinë e vetë demokracinë neoliberale, populizmin e tyre e orientojnë në drejtim tjetër. Këto shtete u futën aventurave të nacionalizmit (në rastin e Kosovës, kur aktivizohet ideja e bashkimit kombëtar me Shqipërinë) dhe ideve për diskriminimin e origjinës etnike. Është vështirë sociologjikisht të vërtetohet se korrelacioni midis populizmit dhe nacionalizmit, në fakt është një lloj simbiozë sociopolitike. Dhe se populizmi nuk mund të identifikohet e aq më pak të propagohet në një “pako” unike me nacionalizmin. Në anën tjetër kemi absurdin sociologjik, ku koncepti dhe paradigma politike e populizmit, sidomos në Evropën Lindore, dosido ka qenë e ngjizur shumë me idenë dhe filozofinë e nacionalizmit. Ndryshe, pothuajse pjesa dërmuese e këtyre shteteve as që do ekzistonin sot, as si formacione sociale e as si formacione politike. Nacionalizmi si një ligjërim i strukturuar mirë dhe si një ideologji e kamufluar me idenë e “barazisë” dhe asaj të maturimit etnik, ushqeu dhe formēsojë ndër shqiptarët e Ballkanit idetë populiste. Idetë dhe paradigma populiste në historinë, mentalitetin, etnopsikologjinë dhe kulturë shqiptare lozi një rol të jashtëzakonshëm në mobilitetin sociopolitik dhe sidomos në atë ushtarak. Themi kështu, edhe për shkakun se shqiptarët, duke qenë në “vonesa” të theksuara historike, sidomos kur ishte në pyetje realizimi i identitetit kombëtar e atij shtetërorë, patën probleme dhe situata shumë specifike, për dallim të psh.serbëve që (kishin lidhje historike e fetare me Rusinë) dhe kroatëve që (kishin aleanca dhe ndihmesa nga Austrohungaria dhe sidomos Gjermania) komponentet identitare e kishin realizuar ndër popujt e parë të Ballkanit Perëndimor. Populizmi majtist në bashkëpunim me nacionalizmin, në një farë mënyre, nëse i adresohemi kontributit të tij historik në formësimin dhe profilizimin e identitetit kombëtar e shtetëror të shqiptarëve, kanë loz rolin dominant. Kurse, populizmi djathtist, në kulturën, traditën dhe etnopsikologjinë shqiptare është interesant që fare nuk ka ndonjë “histori” të theksuar. Arsyet janë të shumta, por arsyeja kryesore për mendimin tim qëndron në pamundësinë e shqiptarëve për ta inauguruar de facto dhe de jure, sistemin dhe traditën e emancipimit kapitalist, në “odisejadën” e tyre historike të formësimit të identitetit kombëtar e shtetëror. Për mendimin tim ajo që e bën populizmin e krahut të majtë jashtëzakonisht të suksesshëm në traditën dhe etnopsikologjinë shqiptare, është padyshim kompleksi historiko-teorik i populizmit dhe nacionalizmit në shek. e XX. Por, meritat për aktivizimin e ndjenjave kombëtare e shtetërore, padyshim që shkojnë jo te populizmi majtist po te populizmi djathtist. Natyrisht, këtu në këtë kontekst s’duhet harruar rishqyrtimin e udhëheqjes karizmatike të rilindëseve tanë, të cilët gjatë kohës së “shkurorëzimit” pesëqindvjeçar me Perandorinë otomane, e lozën rolin vendimtar në gjitha lëvizjet e mëvonshme populiste. Në fakt këto lëvizje fillimisht s’kishin asfare determinizmi ideologjik. Arsyeja e thjesht ishte se kjo periudhë ndër shqiptarët, të cilët në “dioptrinë” e klasikëve dhe rilindësve identifikohej parasëgjithash si periudhë emancipimi kombëtar e më pak e atij politik. Ideja e tyre ishte dhe mbeti dëshmimi para opinionit ndërkombëtar, se shqiptarët (anipse, ishin aksionar aktiv në ndërtimin pesëshekullor të Perandorisë otomane) dallojnë nga kombet tjera. Dhe se ata kanë gjitha atributet dhe specifikat identitare, sikurse gjithë popujt tjerë ballkanas. Por, ishte iluzore të mendohej se identiteti kombëtar do mund të rindërtohej dhe rikonstruktohej pa mekanizmin e shtetit. Pra, nevojitej “tapia” tjetër identitare për t’u rekrutuar dhe dëshmuar para fqinjëve, që tashmë veç kishin arritur të ndërtonin arkitektura të têra shtetërore e kombëtare. Duket që populizmi po i relativizon rrënjësisht edhe njohurinë tona mbi shumë procese e fenomene sociale e politike. Sepse po e vendos gjykimet objektive sociale të cilat kërkojnë analizë shumë subtile e avangarde, në të njëjtin nivel me mendimin personal të karizmes së udhëheqësit tē pakontestueshëm? Gjë që është paradoksi llojit të vetë në këtë lloj revolucioni të medieve sociale?! Në këtë kontekst, popullaritetin e teorive të komplotit rreth coronavirusit po e përhapin edhe valët e reja populiste, që janë kah përhapen me aplikativitet masiv në gjithë botën. Sidomos përmes zhvillimit të medieve masive, dhe veçanërisht rrjeteve sociale, teoritë e konspiracionit janë bërë një fenomen masiv…