08:10 / E Hënë, 08 Nëntor 2021 / C E

Populli votoi: Elon Musk duhet të shesë aksionet e Tesla

Elon Musk ka krijuar jo pak kontroversion kohët e fundit me qëndrimin e tij mbi mospagimin e një takse të mundshme miliarderësh, të cilën e kanë propozuar disa ligjvënës demokratë dhe në një anketim të bërë nga vetë ai ditët e fundit në Twitter, populli i medias sociale ka votuar që ai të shesë aksione.

Mbi 3.5 milionë njerëz votuan në sondazhin e thirrur nga vetë Musk në Twitter. Rreth 58% e tyre ishin pro shitjes së aksioneve nga ana e Musk.

Përkatësisht, bëhet fjalë për 10% të tyre. Vlera e përllogaritur është prej 21 miliardë dollarësh.

Njeriu më i pasur në botë, e pati premtuar dëgjimin e “popullit të Twitter-it”, por një përgjigje përfundimtare nga ana e tij ende nuk ka ardhur pas rezultateve.

Fatura financiare në fund për të, në rast të një vendimmarrjeje të tillë, pritet të jetë e lartë.

Po aq e vërtetë nga ana tjetër, është që ky vendim të mos e dëmtojë edhe aq sa mendohet manjatin e makinave elektrike.

Falë një klauzole në kontratën e tij me Tesla, ai ka të drejtë të blejë aksione me çmim shumë të ulët. Kjo, në rast se kompania performon në mënyrën e parashikuar përgjatë një periudhe kohore.

Konkretisht, për shkak të shitjeve shumë të mira nga Tesla, Musk ka të drejtë të blejë një aksion për 6.24 dollarë. Ndërkohë, çmimi real i tregut është 1 mijë e 222 dollarë.

Kështu, ai do të rikuperonte një sasi të madhe parash dhe aksionesh njëkohësisht.

Por, në mënyrë që Musk të paguajë taksën e majme, duhet gjithashtu të plotësohet plani i demokratëve për ta taksuar atë.