10:34 / E Enjte, 30 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Porti i Durrësit: Moti i keq dhe deti i trazuar vonojnë tragetet, ja kur pritet të mbërrijnë

Moti i keq dhe deti i trazuar vonojnë tragetet, njoftoi Autoriteti Portual Durrës. Reshjet e shiut dhe era e fortë pengojnë përpunimin e anijeve

Moti i keq dhe deti i trazuar kanë përfshirë sot paradite edhe gjiun detar të Durrësit. Era e fortë me shpejtësi rreth 70 km/orë vazhdon të pengojë përpunimin e anijeve në port.

Nga Qendra e Informacionit mësohet se dy tragetet e linjës Bari – Durrës për shkak të detit të trazuar janë nisur me shumë vonesa nga porti i Italisë Jugore.

Trageti “AF Francesca” pritet të mbërrijë në Durrës rreth orës 13.00, ndërsa trageti “Bari” mund të mbërrijë rreth orës 17.00-thanë burimet.
Ndërkaq janë marrë masa për ankorimin në kalatën 5 të njërës prej anijeve që ndodhej në radën portuale.

Dy anije në përpunim, përkatësisht me çimento dhe kontejnerë, kanë ndërprerë përpunimin për shkak të erës së fortë me drejtim nga jugu. Në radën e portit ndodhet edhe një anije tjetër me kontejnerë, e cila pret të nisë përpunimin. Masa janë marrë edhe për përforcimin e vinçave dhe elektrovinçave në kalata, si dhe në Terminalet ku ndodhen asetet kryesore të portit më të madh të vendit.