10:58 / E Enjte, 14 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Portreti i veçantë i “Mona Lisës së Austrisë”

Një nga punët më të njohura të Klimt është portreti i Adele Bloch-Bauer, ose, siç e njohin ndryshe “Mona Lisa e Austrisë.” Vet Klimt e titulloi portretin thjesht: – Adele Bloch-Bauer, po kur nazistët e morën pikturën dhe e ekspozuan, në 1940, e quajtën “Gruaja me veshje të artë”, sepse Adele Bloch–Bauer ishte çifute dhe pa emrin e saj çifut, piktura bëhej ‘e përshtatshme’ për tu treguar në Rajhun e III dhe kjo ‘shkelje’ u miratua nga zyrtarë të lartë të cilët e dinin shumë mirë se kush ishte ajo.

Adele Bauer vinte nga një familje shumë e njohur. Ishte vajza e një bankieri dhe gruaja e milionerit Ferdinand Bloch, që e kishte bërë pasurinë nga tregëtia e sheqerit. Ajo ishte vetëm 18 vjeç kur ata u martuan me mblesëri, ndërsa ai ishte dyfishi i moshës së saj.

Jeta e saj si një grua milioneri në vitet 1890, ishte ‘argëtimi’ me shkrimtarë, politikanë, intelektualë, muzikantë, piktorë, midis tyre edhe Klimt në sallonin e familjes. I shoqi porositi 2 portrete të saj tek miku i tyre i shquar, Gustav Klimt, që ishte piktori më i dashur dhe më i njohur i austriakave në atë kohë. Shumica e klientëve të tij ishin çifutë të pasur dhe të kishe një Klimt ishte çështje prestigji për ta.

Klimt me përparësen e punës, tip këmishe të gjatë deri në fund të këmbëve – poshtë së cilës rrinte gjithmonë nudo ( dhe prandaj kishte edhe 14 fëmijë paligjshëm, kjo sipas burimeve të besueshme)– punoi me këtë pikturë për 4 vjet. Adela qëndronte në një karrige me shpinore të lartë. Në qafën ka një varëse të puthitur si mashetë, me perla të praruara dhe fustani voluminoz është i mbushur me figura gjeometrike të frymëzuara nga mozaikët e artë (të florinjtë), që Klimt kishte parë në udhëtimin e tij në Ravenna, Itali. Veshja është gati -gati 3-dimensionale dhe në disa vende, ai ka pikturuar jo vetëm bojra vaji, por ka përdorur edhe materiale ari dhe fletë argjendi, thonë ekspertët.

Portreti i Adelës me flokë të zeza, të mbledhura topuz diku në majë të kokës, vetulla të trasha e të harlisura dhe buzë të plota, të ndara paksa, në ngjyrë të kuqërremtë – një lloj shenje e një ndjeshmërie sensuale – është i pazakontë krahasuar me portretet e asaj kohe. Duart e saj janë të kapura mbi gjoks, në një pozicion të çuditshëm, e të vështirë dhe kjo ndoshta sepse kishte gishta paksa të shëmtuar dhe ishte e vetë-vetëdijshme për këtë – thonë ekspertët. Sytë sensualë të errët me qepalla të rëna dhe fytyra e saj e zbehtë – lënë të kuptohet që jeta e saj është ‘skllavëria’ me zinxhirë perle e gurë të çmuar në këtë kafazë të artë. Trishtimi në sytë e saj, pavarësisht gjithë pasurisë dhe privilegjeve na rrëfen që Adela Bloch-Bauer po vuan shumë.

Adela pati shëndet të keq gjithë jetën e saj – dhimbje koke të mëdha që i shkaktoheshin nga migrena, dhe pinte shumë duhan. Kishte përjetuar tragjedi të mëdha, deri atëherë megjithëse akoma shumë e re: – 2 aborte spontane si dhe vdekjen e djalit, vetëm disa ditë pasi kishte lindur dhe ishte vetëm 22 vjeçe kur Klimt filloi portretin e saj. Dhimbjet reflektohen në sytë e saj dhe të japin ndjesinë sikur ajo e percepton se si do të jetë pjesa tjetër e mbetur e jetës. Gjërat që kishte ëndërruar si vajzë e re i ishin mohuar, tani i kishte mbetur të jetonte në këtë kafaz të artë.

Adela vdiq nga meningjiti në vitin 1925 në moshën 43 vjeçare.
Klimt me këtë portret – që u ekspozua në Gjermani, Vjenë dhe Zvicër, kur ajo ishte ende gjallë – e bëri atë në një ikonë laike. Në një farë mënyre ky ishte një kontribut i të dyve për botën.

Pakënaqësia që Adele ndjeu në jetën reale – e bëri të përjetshme në art, pasi ndihmoi Klimt të bëhej ‘ikona’ e Vjenës në fillim të shekullit të 20-të duke bërë që ai të realizonte ambiciet e tij artistike, por ndihmoi të realizonte edhe ambicjet e veta si grua, i tregoi botës – që pavarësisht arit, ato që dëshironte nuk mund ti kishte.

Meli Ajazi