20:11 / E Enjte, 28 Maj 2020 / indeksADMonline

Potenciali ynë post-pandemik qëndron në fushën e teknologjisë informative dhe kapitalin e ndërlidhur njerëzor

Shkruan: Driton B. Hetemi

Kosova si vend në tranzicion dhe në zhvillim, nuk e ka potencialin e njejtë me shtetet zhvilluara të cilat janë duke ndërtuar pako enorme financiare rreth mbështetjes së rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë. Sidoqoftë, pakot financiare tona, sado modeste të jenë ato, duhet kanalizuar drejt mbështetjes së kapitalit njerëzor në fushën e teknologjisë informative, në mënyrë që kapitalizimi i subvencioneve të jetë më domethënës dhe efektiv.

Kur ekonomitë globale ballafaqohen me kriza financiare, pasiguritë rreth së ardhmes kaplojnë me shpejtësi bizneset (sidomos ato te vogla dhe të mesme). Në raste të tilla, hapi i parë që bizneset mundohen të bëjnëështë të rimendojnë modelet e biznesit që operojnë. Tendenca e bizneseve drejtohet nga ajo se si të zvogëlojnë dhe menaxhojnë risqet, përderisa biznese të caktuara kanalizojnë strategjinë e veprimit edhe drejt asaj se si të rriten dhe si të pushtojnë tregje të reja.

Në këtë mënyrë, krizat financiare përveç se japin sinjal për rimodelim biznesesh për të mbijetuar, ato krijojnë edhe mundësi të reja biznesi pasi që kriza të përfundojë. Rrjedhimisht, kriza prodhon efekte negative duke bërë që shumë biznese të dobësohen e zhduken, mirëpo në anën tjetër ajo prodhon edhe mundësi të reja në treg, duke bërë që disa biznese të rriten tutje apo disa të tjera të themelohen e zhvillohen që nga fillimi.

Pandemia përveç tjerash, ka dhënë leksione të ndryshme për bizneset në aspektin e organizimit të brendshëm prodhues dhe operues. Në mes tjerash, bizneset apo prodhuesit do të fillojnë të mendojnë më shumë rreth automatizimit të prodhimit në vendet e tyre të origjinës, se sa rreth gjetjes së mundësive tjera të prodhimit në vendet me kosto të ulët të punës. Kjo do të ndihmojë prodhuesit të zhvillohen brenda vendeve të tyre të origjinës, mirëpo do të ndikojë negativisht në vendet në zhvillim prej nga prodhimi mund të tërhiqet tërësisht apo pjesërisht. Në anën tjetër, pandemia do të ndikojë edhe në mënyrën e organizimit të sektorit të shërbimeve dhe në mënyrën se si operohet aktiviteti rutinor. Për shembull, takimet virtuale në platforma online, shitja përmes postës, pagesat elektronike, kartelat bankare pa kontakt, puna nga shtëpia, dhe shumë shërbime tjera nga distance, po marrin dukshëm eminencë dhe po preferohen më shumë se të njejtat aktivitete në mënyrë fizike. E gjithe kjo rutinë e re duhet të shërbejë për analizë dhe si bazë për reflektim se sa dhe çfarë aktivitetesh rutinore bartin joefikasitet dhe kosto të lartë organizimi, në universitet, në zyrë, në shërbime publike e kudo tjetër.

Rrjedhimisht, janë shumë variabla ende të panjohura, efekti i tëcilave do të matet vetëm pas deklarimit të pandemisë si e përfunduar. E akti i shpalljes së fitores ndaj pandemisë nuk duket të jetë afër. Kjo për shkak se për ta bërë një gjë të tillë, duhet të kemi ose një sistem shëndetësor perfekt që do të mund të akomodonte të infektuarit në menyrë të vazhdueshme, ose duhet të kemi të gatshme për treg një vaksinë apo terapi efektive ndaj luftimit të sëmundjes.

Në anën tjetër, situata post-pandemike do të na gjejë në një kornizë tjetër mentaliteti. Njerëzit do të vazhdojnë të rezistojnë ndaj kontaktit intensiv fizik dhe sjellja e tyre konsumatore do të orientohet nga kanalet virtuale apo teknologjike. Fundja, përvoja jetësore e rutinore gjatë periudhës së pandemisë, do të na mësojë edhe mënyra tjera operimi më të shpejta, më efektive dhe më të lira në kosto, qoftë në ambiente të punës apo biznesit, qoftë në ambientin e organizimit publik. Mendësia do të ndryshojë, e pyetje sensitive do të shtrohen edhe në ndryshimet në rrafshin e ekonomisë së sjelljes, përtej rikuperimit të thjeshtë financiar dhe biznesor. Pra, kthim prapa nuk ka e pyetja më e rendësishme është se cilës fushë t’i jepet prioritet në ndryshim e riorganizim?

Çfarë mund të bëjë Kosova?

Në kohë krizash, kompanitë prodhuese krahasojnë kursimin nga robotizimi në raport me kursimin nga prodhimi manual duke shfrytëzuar koston e ulët të punës në vendet në zhvillim. Historia ekonomike tregon që një krahasim i tillë gjatë krizës së fundit globale, ka rezultuar me kosto më të lartë të prodhimit jashtë vendit se sa nëse ishte investuar në automatizim dhe prodhim brenda vendit.

Në anën tjetër, secila qeveri tenton që në kohë krizash të subvencionojë apo të implementojë asistencë përmes pakove të ndryshme financiare, duke u dhënë mundësinë kompanive të investojnë më shumë dhe me kosto më të lirë në hulumtim dhe zhvillim (R&D) duke përfshirë këtu edhe investimet në digjitalizim dhe automatizim. E njejta vlen edhe për shërbimet si në sektorin privat, ashtu edhe në atë publik. E Kosova në këtë drejtim ka shumë hapësirë ndryshimi e investimi, duke rritur kështu konkurueshmërinë e kompanive tona prodhuese apo shërbyese, edhe globalisht.

Duke qenë se Kosova është ekonomi e vogël dhe e hapur, efekti nga një krizë globale mund të jetë tejet i madh. Në anën tjetër Kosova nuk është e njohur si destinacion atraktiv për prodhuesit e mëdhenj botërorë, të cilët kanë ardhur këtu për prodhim duke kërkuar një kosto të ulët të fuqisë punëtore, e kjo përbën një aspekt i cili nuk do të gjenerojë tërheqje të madhe investitorësh nga vendi ynë, sepse nuk ka të tillë.Rrjedhimisht efekti negativ i ndërlidhur do të jetë më i vogël. Si rrjedhojë, Kosovës nuk i duhet të mendojë në prezervimin e prezencës së kompanive të mëdha të huaja, mirëpo kjo lejon hapësirë kreativiteti dhe studimi, se si dhe në cilën mënyrë të krijohet avantazhi jonë ekonomik karshi vendeve tjera, eksportimi i të cilitavantazh ndihmon në rimëkëmbjen ekonomike në sektorin privat.

Kësisoj, Kosova duhet të fokusohet më shumë në teknologjinë informative, në mënyrë që potenciali ynë për eksport virtual të rritet më shumë, përderisa kërkesa globale do të shënojë rritje si rezultat i nevojës për dixhitalizim. Është dëshmuar tani që njëri nga potencialet më të mëdha të vendit tonë për eksport, është edhe kapitali njerëzor i kualifikuar. Në linjë me këtë, eksporti nuk ka pse të jetë fizik, përderisa kompani të reja (Start-ups) të motivohen, duke u dhënë shtytje përmes insetivave financiare, mbështetje ligjore dhe infrastrukturore por edhe promovim nga mekanizmat e organizuar shtetërorë, të cilët duhet të plasojnë potencialin përmes rrjeteve të komunikimit formal.

Tregu jonë ka mundësi reale të afirmohet në rrafshin global, duke stimuluar kompani të angazhuara në zhvillime teknologjike e softuerike, marrë për bazë që kërkesa për shërbime të tilla do të rritet globalisht. Mosha mesatare në Kosovë, si një avantazh esencial në kapitalin njerëzor, duhet kanalizuar në produktivitet në fushat që përkojnë me potencialin, e që në rastin tonëështëpadyshim teknologjia informative. Afiniteti dhe interesimi i rinisë kosovare të integrohen në tregun global teknologjik, duhet parë si aseti më i çmueshëm në të cilin duhet investuar dhe të cilin duhet promovuar.

Efeketet e pandemisë në rrafshin global apo edhe lokal, qëndrojnë ende në mjegull. Kompani të mëdha auditimi, kompani konsulentësh apo edhe organizata qeveritare janë duke ndërtuar modele dhe parashikime për situatën e pritur post-pandemike, mirëpo përderisa sëmundja Covid-19 të sillet ende mes nesh, çdo siguri në parashikime apo modelime mund të drejtojë në lajthitje dhe surpriza të ngjashme me ato pas krizës së fundit financiare globale. Prandaj, secili modelim aktual i efekteve të pandemisë, qëndron në divergjencë me modelet tjera.

Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë që njëri apo tjetri aspekt i efekteve të mundshme të mos trajtohet përderisa të pritet një triumf global apo shëndetësor ndaj pandemisë. Koha nuk pret, e në të njejtën formë duhet të përgjigjemi edhe ne, qoftë si individë, shoqëri apo qeveri, duke u angazhuar menjëherë në dizenjimin e proceseve apo programeve që ndihmojnë në sanimin e situatës ekonomike e sociale post-pandemike, por edhe në krijimin e avantazhit konkurues si ekonomi, duke synuar zhvillim të mëtutjeshëm e duke qenë faktor relevant i progresit, jo vetëm lokalisht.

E kur jemi te Kosova, si ekonomi e vogël dhe e hapur, avantazhet e saj krahasuese pothuajse janë të qarta dhe të drejtuara kokëfortësisht nga teknologjia informative, porse nuk janë të shfrytëzuara, promovuara dhe mbështetura. Angazhimi institucional në këtë fushë, do të rriste potencialin tonë eksportues dhe do ta bënte atë më atraktiv, në raport me kërkesat e vendeve të zhvilluara. Ato vende apo ato kompani multinacionale, në vend se të kërkojnë një vend atraktiv për ta instaluar linjën e prodhimit për shkak të kostos së ulët të fuqisë punëtore (edhe pse kjo nuk ka ndhodhur pothuajse asnjëherë në vendin tonë që nga vitet ’90 përgjatë fazës fillestare të hiper-globalizimit prodhues), do të kërkojnë një destinacion ‘offshore’ për zhvillimin e programeve të automatizimit dhe dixhitalizimit të procesit të prodhimit në vendet prej nga ato kompani vijnë.