08:58 / E Diele, 02 Tetor 2022 / MSH

Pozita përsërit se qëllim është njohja nga Serbia, për opozitën qasja e Qeverisë në dialog është e frikshme

Njohja e ndërsjellët Kosovë-Serbi është qëllimi që Qeveria ia ka vënë vetes në procesin e dialogut me shtetit fqinjë. Përderisa për opozitën nuk ka fare transparencë në këtë çështje.

Shefja e Grupit të Deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se fokusi kryesor i palës kosovare është arritja e marrëveshjes përfundimtare me njohje në qendër.

“Synimi dhe qëndrimi i pandryshueshëm i Kosovës ka qenë që njohja të jetë në qendër të bisedimeve dhe çdo gjë të lidhet me njohjen e ndërsjellë dhe kjo mbetet ende e do të jetë deri në fund të procesit atëherë kur të arrihet njohja që fokusi i palës kosovarë është njohja”.

“Prandaj dinamika e rritur do të varet edhe nga rezultati final për arsye se mund të bëhen përpjekje, por kur ke të bësh me një shtet që nuk bazohet asnjë veprime në sistem të vlerave ose parime të mirëfillta çdo gjë është e paparashikueshme”.

Ndërsa sa i përket Asociacionit, ajo tha se asnjëherë deri më tani nuk ka pasur argumentim të mirëfillta pse duhet të ekzistojë një organ i tillë dhe cili do të jetë ndikimi më jetën e qytetarëve.

Sipas saj, formim në baza etnike është i papranueshëm.

“Asociacioni është me baza etnike ajo çka është kërkuar dhe ajo çka është promovuar në baza etnike dhe në kundërshti. Asnjëherë deri më tani nuk ka pasur argumentim të mirëfillta pse duhet të ketë Asociacion të komunave serbe dhe cili do të jetë ndikimi më jetën e qytetarëve përbrenda këtyre komunave përderisa përfaqësuesit serb nuk e kanë bërë as minimumin e përfaqësimit të komunitetit të vet në institucionet e Kosovës përfshirë Kuvendin”.

“Shumë pak e fare flasin e adresojnë çështje që  kanë të bëjnë me probleme të përditshme të serbëve të Kosovës, por mbeten të fokusuar në diskutime politike për Serbinë në Kosovë. Prandaj edhe në formim në baza etnike është i papranueshëm”, tha Kusari-Lila.

Ish-zëvendëskryeministri, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka vërejtje të mëdha për Qeverinë Kurti se si po menaxhon me dialogun, duke shtuar se nuk e dinë se cila është platforma.

Sipas tij, qasja e Qeverisë me mungesë totale të transparencës është një qasje e frikshme, raporton EO.

Deputeti Semanaj theksoi se Qeveria Hoti e pati kornizuar çështjen e dialogut vetëm me marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje reciproke.

“Edhe këtu kam vërejtje mënyra se si kjo qeveri iu ka qasur procesit të dialogut. Transparencë minimale pothuajse nuk ekziston fare. Në kuvend nuk diskutohet fare. Përkundër që kemi pasur rezoluta në kuvend të cilat e obligojnë qeverinë që para çdo procesi të dialogut dhe para çdo vizite atje dhe pasi të kthehet të raportojë. Nuk raporton fare. Dhe nuk e dimë se cila është platforma politike e dialogut të kësaj qeverie se cila është strategjia për këtë qeveri. Nuk guxon Qeveria e Kosovës pas 10 vjetësh negocim me Serbinë të kthehet në çështje konkrete sepse mund të marrë edhe 10 vjet të tjera më pas proces të dialogut”.

“Qeveria Hoti pat kornizuar çështjen e dialogut vetëm marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje reciproke. Do të përfshiheshin edhe nën tema tjera. Por çështja kryesore ishte njohja reciproke. Dhe të mos preket korniza kushtetuese, Kushtetua e Kosovës”.

“Kjo qasje e kësaj Qeverie mungesë totale transparence, mungesë totale të platformës për dialog. Kjo është një qasje e frikshme. A ndërkohë kemi momentum të rëndësishëm që të japë epilog kësaj çështje”, tha Selmanaj.