10:27 / E Enjte, 02 Korrik 2020 / indeksADMonline

Bëhet pranim-dorëzimi i donacionit të BE-së për COVID-19, Zemaj: Mos i dëgjoni ata që thërrasin për padëgjueshmëri!

Kreu i Shëndetësisë kosovare, Armend Zemaj, bashkë me ambasadoren e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, morën pjesë në ceremoninë e pranim-dorëzimit të donacionit për COVID-19.

Me këtë rast, Zemaj ka falënderuar Bashkimin Evropian për donacionin, duke theksuar se nuk është i vetmi.

Zemaj u bëri thirrje qytetarëve që të mos i dëgjojnë ata që bëjnë thirrje për padëgjueshmëri ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës, raporton Indeksonline.

“MSH-ja është duke i koordinuar aktivitetet me donatorë dhe jemi të interesuar që shpërndarja të mbërrijë në destinacionin e nevojshëm. Ky donacion nuk është i vetmi nga BE-ja, është një ndër pjesët e kontingjentit që kanë arritur më parë dhe që na kanë ndihmuar shumë në menaxhimin e pandemisë”, deklaroi Zemaj.

Ministri i Shëndetësisë tha gjithashtu se nuk është e tepërt të përsëritet falënderimi ndaj Zyrës së BE-së, që e bëri të pamundurën që këto mjete të arrijnë sa më shpejt të jetë e mundur.

“Mos lejoni që të kemi donacione të tilla në pafundësi, zbatoni rekomandimet e IKSHPK-së dhe mos dëgjoni ata që thërrasin për padëgjueshmëri ndaj vendime të Qeverisë. Më e rëndësishme është shëndeti sesa dallimet politike që paraqiten në kohë pandemie”, shtoi ai./Indeksonline/