Prej të hënës, pronarët i vënë ‘drynin’ bizneseve në veri
Janë bërë një javë që kur Serbia ka nisur planin për ‘katastrofë humanitare’ në veri, kinse qytetarët po kanë mungesë të produkteve elementare ushqimore.
Para disa ditësh, Indeksonline raportoi se biznesmenët në veri kanë marrë vendim që nga data 1 korrik të mos punoj asnjë subjekt afarist.
Ky vendim është marrë në mbledhjen e mbajtur në lokalet e Metllac në Zveçan, ku nën organizimin e unionit të biznesmenëve në veri morën pjesë Radosh Petroviq, Radule Steviq, Dragan Katolik, Vllaskoviqit e biznesmenë tjerë nga komuna e Mitrovicës e Zveçanit.
Kryetari i Shoqatës së Biznesmenëve në veri për mediat serbe është deklaruar se nga e hëna nuk do të punoj asnjë furrë dhe do të mbyllen të gjitha dyqanet ushqimore.
“Ky vendim është marrë në një takim privat. Për shkak të taksës së imponuar për produktet e Serbisë, vendim ky i marrë nga institucionet e Prishtinës në nëntor të vitit të kaluar”, ka thënë Petroviç, transmeton Indeksonline.
Petroviç shtoi se në disa dyqane tashmë raftet janë bosh, duke theksuar se nuk ka qumësht, miell, sheqer e kështu me radhë.
“Rezervat e fundit të qumështit po i shesim. Miell nuk kanë, sheqer e kripë. Njerëzit janë në panik. Nga e hëna do të mbyllen të gjitha”, ka shtuar ndër të tjerash ai.
Petroviç ka theksuar se edhe në barnatore gjendja është e njëjtë dhe se ka mungesë të barnave të nevojshme për qytetarët e komunitetit serb.
Ndryshe, në mbledhjen e mbajtur këtë javë mes biznesmenësh serbë, ishte diskutuar edhe bllokimi i pikave kufitare Brnjak e Jarinjë, mirëpo, një vendim i tillë nuk është marrë ende.
Po ashtu, me datën 02.07,2019, me fillim në ora 19:00 në të njëjtin vend do të mbahet takimi i radhës për ecurinë e veprimeve që do të ndërmerren.
Për këtë plan të Serbisë që të paraqes gjendje të keqe në veri, është e njoftuar edhe Qeveria e Kosovës nga mekanizmat e sigurisë./Indeksonline/