21:35 / E Enjte, 12 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Prekëse: Në vend që të jetë në shkollë, fëmija në Prishtinë detyrohet të bart pesha të rënda

Kushtet e vështira të jetesës, si rrjedhojë e varfërisë së tejskajshme po bën që fëmijët në Kosovë të gjejnë forma të ndryshme të punëve.

Këta fëmijë, janë duke kryer punë të rënda sikurse kërkim lëmoshë, riciklim dhe shitje të gjësendeve.

Në një fotografi të realizuar nga IndeksOnline, shihet një fëmijë i cili mbi shpinën e tij mban një thes të mbushur me kanaqe.

Sipas fotografisë, shihet se fëmija është tërësisht i mbuluar me thesin e mbushur me kanaqe.

Fotografia është realizuar në lagjen Mati 1 në Prishtinë, derisa nuk është hera e parë që në publik shihen fotografi të tilla të fëmijëve.

Për situatat e fëmijëve në rrugë, janë ngritur shpesh herë shqetësime edhe nga organizata që mbrojnë të drejtat e fëmijëve në Prishtinë.

Kujtojmë që në Nëntor të këtij viti, Komuna e Prishtinës, është bërë me qendër strehimi për fëmijët në situatë rruge.

Qendra për trajtimin e fëmijëve në situatë rruge aktualisht ka kapacitet për 25 fëmijë në qëndrim ditor, derisa Komuna ka premtuar zgjerimin e kapaciteteve varësisht nga kërkesat. /IndeksOnline/