21:32 / E Shtunë, 11 Gusht 2018 / indeksADMonline

Premtime plot, por prapë QKUK-ja përballet me mungesë barnash esenciale

Nëpër klinika, pacientët po përballen me mungesë elementare të barnave. Kjo po u shkakton vështirësi të pakapërcyeshme veçanërisht qytetarëve që jetojnë në asistencë sociale, të cilët thonë se me ilaçet e shtrenjta po bëhet i papërballueshëm trajtimi i pacientëve.

Autoritetet shëndetësore thonë se po bëjnë përpjekje për pasurimin e listës esenciale të barnave.

Rrahman Sinani nga fshati Sllatinë e Podujevës tash e 10 ditë e ka të hospitalizuar bashkëshorten në QKUK.

Ai thotë se të gjitha barnat i blen edhe pse jeton me një asistencë sociale dhe me ndihmën e njerëzve vullnetmirë.

Edhe Ismet Hasani thotë se është detyruar t`i blejë të gjitha barnat për djalin e sëmurë, madje edhe shiringat.

Ushtruesi i drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik, Basri Sejdiu, thotë se së bashku me ministrin e Shëndetësisë po bëjnë përpjeke që furnizimi me barna të përmirësohet.

Ndërsa drejtori i Spitalit të Gjakovës, Ahmet Asllani, thotë se krahasuar me 3 muajt e parë, ka një përmirësim në furnizimin me barna dhe me material shpenzues.

Gatishmëria e institucioneve shëndetësorë për furnizimin me barna, megjithatë nuk është në nivel, andaj brenga e të sëmurëve dhe familjarëve mbetet e pranishme.