75 Mall Live Search
20:13 / E Hënë, 23 Qershor 2025 / Burim

“Premtimi i Fitores”, çfarë thotë Irani për sulmin ndaj bazave amerikane

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) ka ndërmarrë të hënën një sulm me raketa ndaj bazës ajrore amerikane Al-Udeid në Katar, në atë që përbën sulmin e parë të drejtpërdrejtë të Iranit ndaj forcave amerikane që prej fillimit të konfliktit, 11 ditë më parë.

Sipas një deklarate zyrtare të IRGC, sulmi është kryer me raketa të fuqishme dhe shkatërrimtare, si kundërpërgjigje ndaj goditjeve ajrore të SHBA-së mbi objektet bërthamore iraniane gjatë ditës së diel. Operacioni mban emrin “Premtimi i Fitores” dhe është shoqëruar me kodin fetar “Ya Aba Abdullah al-Hossein”, një referencë për imamin e tretë shiit.

“Pas agresionit të hapur ushtarak të regjimit kriminal të Shteteve të Bashkuara ndaj objekteve paqësore bërthamore të Republikës Islamike të Iranit dhe shkeljes së qartë të të drejtës ndërkombëtare…”, thuhet në deklaratën e Gardës Revolucionare.

Sulmi ndaj Katarit vjen pasi ushtria e Iranit tha se asnjë sulm ndaj territorit të saj nuk do të mbetej pa përgjigje.

Irani thotë se përdori të njëjtin numër bombash në sulmin e tij ndaj bazës Al Udeid sa përdori SHBA-ja në sulmet e së dielës ndaj instalimeve bërthamore të Iranit.

Administrata Trump ka reaguar shkurtimisht:

“Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Mbrojtjes janë të informuar dhe po ndjekin nga afër kërcënimet e mundshme.”

Në momentin e sulmit, Presidenti Donald Trump ndodhej në Dhomën e Situatave në Shtëpinë e Bardhë, ku pritet të mbledhë urgjentisht Këshillin Kombëtar të Sigurisë./Euronews.al