12:39 / E Martë, 27 Mars 2018 / indeksADMonline

Premtimi i njeriut të Vuçiqit para se ROSU të hynte në sallën ku mbahej takimi

Sekretari i Përgjithshëm i Zyrës së Presidentit të Serbisë, Nikolla Selakoviq, dje ka mbajtur një fjalim në sallën ku ishte edhe Marko Gjuriq, pak kohë para se policia e Kosovës të intervenojë për arrestimin e tyre.

Ai u ka premtuar serbëve të Kosovës në veri se asnjëherë Serbia nuk do të heqë dorë prej tyre. Selakoviq ka entuziazmuar serbët e veriut duke u thënë atyre se janë të përkushtuar për gjendjen e tyre, dhe këtë e dëshmon fakti se arritën të hyjnë në Kosovë pavarësisht ndalesave të policisë së Kosovës.

Pas fjalimit të tij dhe të Marko Gjuriqit, njësia speciale e policisë së Kosovës ROSU, ndërhyri me forcë në sallën ku po mbahej takimi dhe arrestoi Marko Gjuriqin, raporton Insajderi.

Fjalimi i plotë i Selakoviqit:

Të dashur vëllezër dhe motra, të dashur miq, të nderuar përfaqësues të serbëve në Kosovës dhe Metohisë, prej nivelit krahinor deri në atë lokal ju falënderoj që jeni  sot këtu, ju falënderoj që na keni pritur dhe që para drejtorit të zyrës z. Gjuriqit dhe para meje sekretarit gjeneral të kryetarit të republikës t’i paraqitni vështrimet e juaja, mendimet e juaja, dilemat e juaja, pikëpamjet e juaja se si të vazhdohet lufta për mbrojtjen e jetesës së serbëve në hapësirat e Kosovës dhe Metohisë për mbrojtjen e Serbisë në Kosovë dhe Metohi.

Ju sjellë të gjithëve përshëndetjet e kryetarit Aleksandar Vuçiq, dhe një porosi, pikërisht si ne sot, që nuk hoqëm dorë përkundër të gjitha kërcënimeve dhe ndalesave, kordonëve, kontrolleve , pikërisht siç nuk arritën të na ndalin të vijmë këtu, siç nuk kemi hequr dorë të vijmë këtu dhe të jemi me ju këtu dhe t’ju dëgjojmë, ashtu nuk do të heqim dorë nga lufta për kërkim të zgjidhjes së drejtë, e cila nuk e poshtëron dhe nënçmon Serbinë, zgjidhje e cila kujdeset për interesat tona shtetërore dhe kombëtare, e cila është zgjidhje e vetme. Kanë kaluar shumë kohë, gati dy dekada prejse Serbia ishte e sulmuar, e sulmuar nga makineria më e madhe ushtarake në botë me qëllim që t’i grabitet ajo çfarë për të është më e shenjtë.

Nga ajo periudhe gati njëzetvjeçare, shpresoj që kemi mësuar shumë, kemi parë shumë, se në të ardhmen do të mbështetemi në arsyen tonë, në mendjen tonë, të dimë se çfarë është e jona, çfarë mbajmë dhe çfarë nuk japim, dhe gjithashtu të  kuptojmë se jeta e çdo fëmije tonë, e çdo burri, gruaje, nëne në Kosovë dhe Metohi dhe në pjesët tjera të Serbisë për ne është e shenjtë.

Kemi ardhur t’ju dëgjojmë si në të gjitha tryeza të rrumbullakët nëpër Serbi , kemi dëgjuar  propozime të ndryshme, pikëpamje të ndryshme dhe kemi treguar se ideja e kryetarit Vuçiq për fillimin e këtij dialogu e kthejë Kosovën dhe Metohinë në fokus të realitetit jopolitik në Serbi. Për këtë arsye jemi sot këtu me juve, për këtë do të vijmë gjithmonë këtu dhe nuk besoj se dikush do të arrijë të na pengojë, sepse gjaku vëllazëror, dashuri vëllazërore është diçka që na ka lidhë që na lidh dhe që do të na lidhë. Ju faleminderit.