12:15 / E Martë, 04 Gusht 2020 / indeksADMonline

Presidenca në pritje për të nënshkruar dekretin për rishikim të buxhetit, ku përfshihen edhe 170 eurot nga pakoja emergjente

Javën e kaluar, përkatësisht më 30 korrik, me 72 vota pro , asnjë kundër dhe asnjë abstenim është miratuar në lexim të dytë rishikimi i buxhetit për vitin 2020. Në këtë seancë të gjatë ishin gjithsej 108 amandamente të propozuara për tu votuar, raporton IndeksOnline.

Derisa buxheti u votua, pritjet e qytetarëve  për 170 eurot nga pakoja emergjente,  nuk dihet nëse do të përfundojnë brenda kësaj jave, pasi që ato ende nuk kanë filluar të ekzekutohen.

E derisa të bëhet ekzekutimi i tyre, janë edhe disa procedura që duhet ndjekur nga institucionet e vendit.

IndeksOnline, ka pyetur në Zyrën e Presidencës për të parë nëse ligji për rishikimin e buxhetit ka arritur në presidencë dhe është nënshkruar nga presidenti Hashim Thaçi.

Në përgjigjen e zyrës së presidencës bëhet e ditur se dekreti ende nuk ka arritur.

“Presidenca ende nuk ka pranuar projektligjin nga Kuvendit”, tha për IndeksOnline, këshilltari politik i presidentit, Adil Behramaj.

Ndërkohë sipas afatit ligjor, janë dhjetë ditë në dispozicion të Kuvendit për të dërguar tek presidenca ligjet që miratohet për tu nënshkruar më pas.

 Ndërsa nga momenti kur ligji të dërgohet në Kuvend, presidenca ka në dispozicion 8 ditë për të parë nëse ligji është në përputhje me Kushtetutën. /IndeksOnline/