13:58 / E Premte, 22 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Presidenti bën thirrje për unitet politik rreth dialogut: Sa herë jemi bashkuar, Kosova ka fituar

Presidenti Thaçi ka thënë se e kaluara e jonë është e dhimbshme dhe kujtimet për vuajtjet tona ende mbeten të freskëta.

Por, e kaluara e jonë, sipas presidentit Thaçi, është edhe ajo që na bën krenarë dhe na jep forcë për të shikuar me këmbëngulje nga e ardhmja.

“Për këtë qëllim, me përkushtim kam vazhduar punën për themelimin e Komisionit për të Vërteten dhe Pajtimin, që synon të ndihmojë përpjekjet e shoqërisë sonë për mbylljen e kapitullit të luftës, të armiqësive dhe arritjen e pajtimit të ndërsjellë. Prandaj jam i lumtur që pas një pune të madhe, kemi arritur të themelojmë ekipin përgatitor për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin. Jam i sigurt se puna e këtij komisioni do të japë rezultate konkrete gjatë vitit 2018 dhe më këtë rast, dua të falënderoj organizatat e familjeve të të pagjeturve, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre”, ka thënë ai.

Kreu i shtetit ka thënë se dialogu mbetet mekanizmi i vetëm dhe i pazëvendësueshëm për zgjidhjen e problemeve brenda shtetit tonë, por edhe me shtetet tona fqinje.

“Në kuadër të angazhimit tim për ndërtimin e paqes së qëndrueshme në tërë Evropën Juglindore, është edhe përkushtimi ynë i përbashkët në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Tani jemi gati për të vazhduar fazën përfundimtare të këtij procesi, i cili do të vazhdojë të ndërmjetësohet nga BE-ja dhe të përkrahet fuqishëm nga SHBA-ja”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se sigurisht që kjo fazë përmbyllëse nuk do të jetë aspak e lehtë.

“Për ketë qëllim, kam filluar konsultat formale dhe jo formale me partitë politike dhe shoqërinë civile, me qëllim që të themelojmë një Grup të Unitetit për të siguruar gjithëpërfshirje në këtë proces. Unë edhe sot, iu bëj thirrje publike që të jemi të bashkuar në këtë proces dhe në çdo proces tjetër që është me interes shtetëror”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka theksuar se sa herë janë bashkuar të gjithë, Kosova ka fituar dhe qytetarët i kanë mbështetur.

“Kështu duhet të jetë përsëri, sepse e ardhmja e jonë, integrimi i shtetit tonë në strukturat veri-atlantike, varet në masë të theksuar nga ky proces. Në çdo rrethanë, unë ju siguroj juve të nderuar deputetë dhe qytetarë të Republikës së Kosovës, se procesi i dialogut do të jetë transparent dhe se çdo marrëveshje e arritur, do të ratifikohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.