12:54 / E Martë, 29 Tetor 2019 / indeksADMonline

Presidenti Hasani takoi presidentin e FICTS-së, Franco Ascani, KOK-u së shpejti anëtarësohet në FICTS

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, është takuar me presidentin e Federatës Ndërkombëtare për Kinemanë Televizive Sportive (FICTS), Franco Ascani, gjatë Festivalit të 17-të Ndërkombëtar të FICTS “Sport Movies & TV”, që po mbahet në Milano.

Presidenti Hasani duke falënderuar mikëpritësin Ascani për ftesën, kërkoi që edhe Komiteti Olimpik i Kosovës të anëtarësohet sa më parë në FICTS, anëtarë të së cilës federatë janë edhe 120 shtete të tjera.

Presidenti Ascani konfirmoi disponimin e madh të tij dhe Komitetit Ekzekutiv të FICTS-së për ta pranuar KOK-un anëtarin më të ri të saj, vendim ky i cili pritet të merret në mbledhjen e KE të FICTS-së, që do të mbahet pas dy javësh.

Numri një i Lëvizjes Olimpike, Hasani, i shprehu menjëherë gatishmërinë e KOK-ut që në vitin e ardhshëm edhe Kosova të organizojë Festivalin e Filmit Sportiv, në të cilin i pranishëm pritet të jetë edhe Franco Ascani.

Të dy presidentit biseduan edhe për format e bashkëpunimit për të realizuar Festivalin e Filmit Sportiv në Kosovë, për çka presidenti Ascani theksoi se KOK-u mund të përzgjedhë filmat, të cilët po shfaqen në Festivalin e 17-të Ndërkombëtar në Milano, për t’u shfaqur edhe para publikut në Kosovë.