12:27 / E Diele, 15 Tetor 2017 / indeksADMonline

Presidenti i Greqisë kërcënon sërish Shqipërinë për integrimin në BE

Presidenti i Greqisë Prokopis Pavlopoulos ka dhënë një tjetër mesazh për Shqipërinë në lidhje me integrimin europian.

Kreu i shtetit foli nga Korfuzi ku mori pjesë në ceremoninë përkujtimore për Ioannis Kapodistrias, një politikan grek i lindur në Korfuz në vitin 1776, raporton “Prothothema“.

“Ioannis Kapodistrias na ofron ne shembullin e një lideri të madh dhe strategjik. Një udhëheqës i madh jo vetëm për Greqinë, por për mbarë Evropën. Një model që zotronte mes të tjerash dy tipare: Vizionin, dhe respektin e plotë për ligjin ndërkombëtar. Kjo na frymëzon ne si grekë, por duhet të frymëzojë gjithashtu dhe ata që kanë ambicjen për t’u bashkuar me BE-në. Këtë e them edhe për fqinjët tanë, Shqipërinë, vendi me të cilin duam të kemi gjithmonë marrëdhënie të mira”, tha presidenti grek.

Por sjelljet aventureske ndërkombëtare, si ato që shikojmë së fundmi mes Tiranës dhe Prishtinës, janë sjellje brutale që shkelin të drejtat e njeriut dhe në rastin e minoriteteve, të drejtën e pronës. Për fat të keq, Shqipëria po dëmton procesin e anëtarësimit dhe kjo është përgjegjësia e saj. Megjithatë ne nuk do të rrimë indiferentë karshi sjelljeve të tilla. Ne i detyrohemi Greqisë dhe Evropës”, shtoi kreu i shtetit Pavlopoulos.