20:24 / E Mërkurë, 20 Maj 2020 / indeksADMonline

Presidenti i KOK prezantoi para organizatës Optimization HUB rastin e Kosovës: “Të ndërtosh sportistët pas sfidës së luftës”

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka zhvilluar sot një prezantim para ekspertëve ndërkombëtarë të kompanisë australiane Optimization HUB.

Qëllimi i prezantimit ishte njohja e tyre me procesin nëpër të cilin ka kaluar sporti i Kosovës, pas daljes së vendit tonë nga lufta.

Presidenti Hasani prezantoi temën: “Të ndërtosh sportistët pas sfidës së luftës”, përmes së cilës tregoi modelin e Kosovës për të ngritur shpirtin lart, për të triumfuar, si dhe për çasjen në psikologjinë e duhur për këtë.

Presidenti përmes videove paraqiti të arriturat e Komitetit Olimpik të Kosovës që prej anëtarësimit në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, si medalja e artë Olimpike, sukseset tjera në garat ndërkombëtare, organizimet madhështore të Festivali Olimpik “PyeongChang 2018”, Ditës Olimpike, Festivalit Sportiv për Parafillorët, etj.

Pas prezantimit, presidenti Hasani përmes diskutimeve pati rastin t’iu përgjigjet pyetjeve të shumta të pjesëmarrësve.

Pikërisht ekspertë të kësaj organizate do të mbajnë seminarin online për shëndetin mental dhe programin për shkathtësi (agilitet) mentale me 20 sportistët tanë elitarë dhe 20 Shpresat Olimpike 2020. Seminari do të nis të premten dhe (22 maj) dhe zgjatë katër javë.