12:01 / E Hënë, 14 Maj 2018 / indeksADMonline

Presidenti: Kosovës po i japin pamje evropiane autoudhat moderne

​Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në nisjen e punimeve në rrugën nacionale “Rruga e tre heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha”, e cila do të ndërtohet nga Millosheva deri në Mitrovicë.

Presidenti Thaçi ka thënë se ky është një prej projekteve më të rëndësishme për Republikën e Kosovës.

“Qasja e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të vazhduar fuqishëm me rregullimin e infrastrukturës dhe me modernizimin e saj në tërë hapësirat e Republikës së Kosovës është një qasje që i duhet Kosovës, i duhet shtetit, i duhet qytetarëve, që ndryshon pamjen e vendit, e modernizon dhe definitivisht i jep pamjen evropiane Republikës së Kosovës”, u shpreh ai, transmeton Indeksonline.

Kreu i shtetit ka thënë se kjo autoudhë dhe të tjerat që janë kryer, si ajo Prishtinë-Prizren-Shqipëri, pastaj autoudha që është në përfundim e sipër Prishtinë-Shkup, ajo që sapo ka filluar në drejtim të Gjilanit dhe tjetra Kijevë-Pejë, janë investime që do të vazhdojnë dhe që po e ndryshojmë dhe fuqizojnë vendin tonë, duke e bërë me infrastrukturën më moderne edhe në nivel regjional./Indeksonline/