17:58 / E Enjte, 13 Qershor 2019 / indeksADMonline

Presidenti Meta nuk tërhiqet: Akti është në fuqi dhe i detyrueshëm për zbatim

Ndërsa Parlamenti ka miratuar me 100 vota pro, 7 kundër dhe 2 abstenime 1 pa votuar, rezolutën e propozuar nga Partia Socialiste kundër Ilir Metës, kreu i shtetit nuk tërhiqet.

Në një konferencë për mediat, këshilltari i Presidentit, Bledar Dervishaj tha se kush kundërshton dekretin e Metës duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Presidenti ka ndjekur me vëmendje të gjitha diskutimet që u zhvilluan sot në parlament, ku u diskutua vendimmarrja për zhdekretimin e 30 Qershorit. Në vend të një reflektimi dhe në vend që të ishte një moment ku mund të shfaqej një reflektim apo ku mund të diskutohej për zgjidhjen e krizës, sot u lëshuan lumenj fyerjesh ndaj institucionit të Presidentit. Kjo retorikë nuk i shërben zgjidhjes së krizës dhe paqes sociale. Presidenti thekson para shqiptarëve dhe partnerëve se dekreti për shfuqizimin u mor në mbështetje me dispozitat Kushtetuese. Ky akt është marrë bazuar te argumentet Kushtetuese. Ai është në fuqi dhe i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë. KQZ është e detyruar ta zbatojë, cdo vendim tjetër është i patolerueshëm nga ligji. Cdo parti që e kundërshton është e lirë të ngrejë pretendimet në gjykatën Kushtetuese apo tjetër që vlerëson se mund të zgjidhë cështjen”.