20:17 / E Enjte, 03 Dhjetor 2020 / Blerim

Presidenti Rugova iu kthye Istogut i shkrirë në bronz, flet autori i shtatores

Zbulimi i dy shtatoreve në Prizren në Ditën e Flamurit, ngjalli reagime të shumta.

Shkrirja në bronz e dy prej figurave më madhore të historisë sonë, të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe Adem Jasharit, s’u prit aspak mirë. Ishte pikërisht punimi i tyre, ndërsa të njëjtat vepra artistike u quajtën të shëmtura.

Në një datë tjetër të rëndësishme, u inaugurua një tjetër shtatore. Kësaj radhe, presidenti historik Ibrahim Rugova në ditëlindjen e 76-të të tij, u kthye në qendër të Istogut përmes veprës së realizuar nga skulptori, Gëzim Muriqi.

Ky i fundit për IndeksOnline ka treguar se si një skulpturë arrin ta bëj një shtatore, e për të presidentit Rugova, iu deshën tre muaj.

“Pa dyshim se cila vepër – shtatore, në vete sjellë një mobilizim të vetin, parapërgatitja që duhet bërë skulptori si: informata, imazhet etj, që lidhen me figurën që i dedikohet shtatorja.

Presidenti Rugova është figurë markante e historisë sonë bashkëkohore, të cilin e kemi jetuar të gjithë.

Procesi nga modelimi deri te derdhja në bronz ka zgjatë më shumë se tre muaj. Cilado vepër publike komunikon me masën veç e veç. Shtatoren e kam postuar edhe gjatë fazës së modelimit, e cila është pranu jashtëzakonisht mirë, prandaj s’jam frikësuar në finalën e bronzës”, ka thënë ai.

Kjo është shtatorja e dytë që Muriqi ia dedikon presidentit Rugova, derisa për dallëm nga e para në të cilën fokus e ka pasur diplomatin, në të fundit, është përqëndruar më shumë për artistin, shkrimtarin dhe diplomatin.

Ndërsa sa i përket dy shtatoreve të fundit që u vendosën në Prizren, ku ajo e Skëndërbeut më pas u largua, skulptori kosovar, thotë se ka pasur vullnet të mirë nga ana e autorëve.

“Është bërë bujë e madhe për këto dy figura madhore kombëtare. Për Adem Jasharin vullneti i mirë ka ekzistu prapë, por kërkohet përgjegjësi e madhe profesionale e morale nga porositësi dhe punëkryesi. Poashtu, as Skënderbeu në memorien tonë kolektive, ka një imazh të konservuar dhe është vështirë t’i largohemi aurolës romantike që e mbështjellë këtë figurë”, shprehet ai.

Ndryshe, Muriqi është autor edhe i shumë shtatoreve të tjera si atyre, Zhujë Selmani në Pejë, Nënë Tereza në Rijek të Kroacisë, Ymer Prizreni e Sylejman Vokshi në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, e shumë figurave të rëndësishme shqiptare./IndeksOnline