20:18 / E Enjte, 25 Janar 2018 / indeksADMonline

Presidenti Thaçi flet nga Zvicra: Specialja, Demakracioni, vrasja e Ivanoviqit…

Republika e Kosovës do të pranojë çfarëdo informate nga Serbia që lidhet me zbardhjen e vrasjes së politikanit nga veriu, Oliver Ivanoviq. Kështu ka deklaruar në një intervistë për “Indeksonline”, presidenti Hashim Thaçi.

Sipas tij, rasti në fjalë nuk mund të ndikojë në raportin Kosovë-Serbi sepse nuk ka akuza të ndërsjella. Thaçi thotë se Kosova është duke kryer obligimet e veta investigative çfarë i ka në përputhshmëri me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Ne do të pranojmë çdo informatë edhe nga Serbia që çon drejt zbardhjes së këtij rasti, vrasje kjo kriminale që është konkludim i gjithanshëm edhe i ndërkombëtarëve dhe vendorëve që është mes grupeve kriminale dhe mafioze. Ndërsa, nuk ka fare ndërlidhshmëri të motiveve politike apo etnike”, u shpreh ai.

Në këtë intervistë i pari i shtetit ka folur edhe rreth qëndrimit të tij në Forumin Ekonomik të Davosit, punën e deritanishme të qeverisë “Haradinaj”, Gjykata Speciale, vizat…

Indeksonline: Po qëndroni qe disa ditë në Zvicër, në Forumin Ekonomik të Davosit – Cfarë konkretisht po përfiton Kosova nga aty?

Thaçi: Forumi Ekonomik i Davosit është një mundësi e jashtëzakonshme për të gjithë liderët botërorë të të gjitha shteteve që të prezantojnë të arriturat e tyre, vizionin për të ardhmen. Për Kosovën ishte mundësi e jashtëzakonshme edhe për mua si president që takuam lidershipin e vendeve të ndryshme për të shkëmbyer ide edhe për të ardhmen globale, në veçantë për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, dhe për Kosovën veçanërisht.

Mesazhet e drejtuara dje nga kancelarja Merkel, janë kuptimplotë se Evropa po hapet, se Ballkani Perëndimor po afrohet edhe më tepër drejt perspektivë konkrete evropiane dhe në kuadër të saj edhe Kosova.

Mesazhi i Davosit është se BE-ja është gati dhe ka ndryshime shumë pozitive edhe në mesazhet e presidentit Juncker, i cili kishte theksuar se nuk ka zgjerim në mandatin e tij kurse tash do dalë me raportin e tij se do ketë zgjerim edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Indeksonline: Cilat ishin temat e diskutuara në takimin me Vuqiq?

Thaçi: Kosova u trajtua si një vend kredibil në këtë forum botëror. Në konferenca ndodhin edhe takime të liderëve të ndryshëm, në kuadër të kësaj edhe me liderin e Serbisë ka qenë një takim në vazhdën e përpjekjeve tona për normalizim të plotë të marrëdhënieve, të raporteve tona sa më konstruktive, ne u dakorduam që të punojmë në mënyrë më intensive për normalizimin e këtyre marrëdhënieve mes dy vendeve tona dhe për pajtimin e popujve tanë.

Sa më tepër cilësi që do të kemi, edhe Kosova edhe Serbia, aq më shpejtë do të jemi në familjen evropiane.

Indeksonline: Vrasja e politikanit nga Mitrovica, Oliver Ivanoviq – Komenti juaj?

Thaçi: Është konstatim i përbashkët se ky rast i Ivanoviqit nuk do të mund të ndikojë në raportin Kosovë-Serbi sepse nuk ka akuza të ndërsjella. Kosova është duke kryer obligimet e veta investigative çfarë i ka në përpuethshmëri me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Ne do të pranojmë çdo informatë edhe nga Serbia që çon drejt zbardhjes së këtij rasti, vrasje kjo kriminale që është konkludim i gjithanshëm edhe i ndërkombëtarëve dhe vendorëve që është mes grupeve kriminale dhe mafioze. Ndërsa, nuk ka fare ndërlidhshmëri të motiveve politike apo etnike.

Indeksonline: A mendoni se do të arrini planin për shfuqizimin e ligjit për Gjykatë Speciale?

Thaçi: Ajo që dua të potencoj është se vendimi është në fuqi, institucionet e Kosovës kanë kryer obligimet e veta karshi kësaj çështje të shtruar nga BE. Pushtetet janë të ndara në Kosovë. Kam dhënë opinionin tim të qartë dhe mendoj se duhet të punojmë bashkërisht në konsolidimin e brendshëm të shtetit, por edhe në atë ndërkombëtarë. Flas me realitetin aktual dhe nuk dua të prejudikoj.

Indeksonline:Si e vlerësoni punën e kryeministrit Haradinaj në 4 muajt e parë të tij?

Thaçi: Është një dinamikë, një aktivitet i ngjeshur i përkushtimeve të përbashkëta të partnerëve të koalicionit dhe një angazhim efektiv i kryeministrit Haradinaj. Mendoj se duhet të kemi fokus prioritetet që ndërlidhen drejtpërdrejt me perspektivën evropiane, jam optimist se gjërat do të vazhdojnë të ndryshojnë për të mirë.

Indeksonline: Kur pritni që të përfundoi çështja e demarkacionit dhe në çfarë kohe duhet të bëhej liberalizimi i vizave?

Thaçi: Unë mendoj se dje ka qenë vonë dhe nesër është shumë shumë vonë. Pa demarkacion, pa ratifikim nuk ka liberalizim të vizave. Sot u takova edhe me komisionerin Hahn dhe është shumë e qartë se  do të na mbetet obligim që ta përmbushim këtë proces të nevojshëm dhe të domosdoshëm. Demarkacioni është i përmbyllur saktë e qartë, por jemi të gatshëm t`i marrim opinionet e të tjerëve. Dua të besoj se i gjithë spektri politik do të ngrihen mbi interesat partiake apo grupore në shërbim të veprimeve dhe vendimeve strategjike për të ardhmen evropiane të vendit. Ne nuk kemi të ardhme tjetër pos asaj euro-atlantike, pjesë e NATO-s dhe BE-së dhe raporteve të përhershme me SHBA-në. Mesazhi im për qytetarët e Kosovës dhe institucionet e Kosovës gjithë është që të kemi shpresë, optimizëm dhe besim në të ardhmen tonë të sigurt zhvillimore dhe euro-atlantike.