12:11 / E Mërkurë, 21 Gusht 2019

Presidenti Thaçi i kërkon kryetares së KQZ-së të përgatiten për zgjedhje

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në një takim kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka.

Në këtë takim është biseduar për përgatitjet për organizmin e zgjedhjeve, pas paralajmërimit të partive politike parlamentare për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, nesër më 22 gusht.

Presidenti Thaçi ka theksuar se menjëherë pas shpërndarjes së Kuvendit dhe pas dekretimit të datës së zgjedhjeve, është e rëndësishme që të bëhen përgatitjet për të siguruar një proces fer dhe demokratik të zgjedhjeve.

“Duhet të bëhen të gjitha përgatitjet teknike, profesionale si edhe të sigurohen mjetet buxhetore, për të organizuar një proces zgjedhor, i cili përmbush kriteret më të larta demokratike”, ka shtuar presidenti Thaçi.

Ai ka theksuar se edhe në këto zgjedhje duhet të ketë monitorim profesional nga organizata ndërkombëtare, organizata joqeveritare dhe mediat.

Nga ana tjetër, Valdete Daka, kryetare e KQZ-së, ka thënë se tashmë kanë nisur të bëhen përgatitjet teknike për organizimin e zgjedhjeve demokratike në Kosovë, pas shpërndarjes së Kuvendit dhe pas dekretimit të datës së zgjedhjeve nga presidenti.